LajmeMaqedoniTopLajm

Mickoski: Nuk ka asnjë të vërtetë për vendosjen e migrantëve, kjo është një temë e shpikur nga LSD për të fshehur problemet e brendshme

“Nuk ka asnjë të vërtetë”, deklaroi kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në intervistën e mbrëmjes në emisionin Tema e ditës në TV Sitel, duke mohuar shkrimet e mediave britanike për ngritjen e kampeve të migrantëve në vend.

Mickoski theksoi se këto pretendime janë të pavërteta dhe shprehu shqetësim për, siç tha ai, sjelljen e papërgjegjshme të LSDM-së, e cila sipas tij po përhap frikë dhe panik te qytetarët.

“Kjo është një sjellje e papërgjegjshme. Nuk mund t’i kuptoj këto ‘gjimnastika politike’ të opozitës që synojnë të mbjellin frikë dhe pasiguri te qytetarët”, u shpreh kryeministri.

Ai akuzoi qeveritë e mëparshme të LSDM-së se kanë ndjekur politika promigrante, duke rikujtuar se në vitin 2017 ishte miratuar një Strategji Kombëtare përmes së cilës Ministria e Politikës Sociale dhe Punës kishte dërguar shkresa në komuna për të identifikuar lokacione për ndërtimin e kampeve potenciale për migrantë.

“LSD tani po përpiqet të mobilizohet politikisht përmes kësaj teme, ndërkohë që politika e tyre në të kaluarën ishte qartazi promigrante, me integrimin e migrantëve si qëllim”, tha Mickoski.

Ai shtoi se kjo strategji politike e opozitës do t’u kthehet si bumerang, pasi në vitet 2026, 2027 dhe më pas nuk do të ketë migrantë, dhe në zgjedhjet e vitit 2028 do të duhet të përballen me qytetarët për premtimet dhe veprimet e tyre.

Kryeministri u dërgoi një mesazh të qartë qytetarëve se nuk ekziston asnjë marrëveshje për pranimin e migrantëve, as me Mbretërinë e Bashkuar dhe as me ndonjë shtet tjetër, dhe se diçka e tillë nuk do të ndodhë sa kohë që ai është në krye të Qeverisë.

“Dua t’u them qytetarëve se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë marrëveshje për pranimin e migrantëve, qofshin legalë apo ilegalë. Një gjë e tillë nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë përderisa unë jam kryeministër”, theksoi Mickoski.

Sa i përket Rezolutës së dorëzuar në Kuvend nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, Mickoski tha se të gjitha qëndrimet e tij janë të përfshira në atë dokument dhe i ftoi deputetët e LSDM-së që ta mbështesin.

“Sot kemi dorëzuar një Rezolutë në Kuvend ku qartë përcaktohen këto qëndrime dhe dënohet sjellja e papërgjegjshme e opozitës. Le ta mbështesin nëse janë të sinqertë”, përfundoi ai.

Related Articles

Back to top button
Close
Close