Bota

Orbán: Brukseli po përgatitet për luftë deri në vitin 2030

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, sot vlerësoi se Brukseli po përgatitet për luftë me Rusinë dhe se tashmë ekziston një datë e synuar për hyrje në luftë – viti 2030.

Në faqen e tij në Facebook, Orbán shkroi se qëllimi i programit të armatosjes që e ka nisur Brukseli është që Bashkimi Evropian të jetë i përgatitur për luftë deri në vitin 2030, që sipas tij është edhe data e synuar për procedurën e përshpejtuar të anëtarësimit të Ukrainës në BE, transmeton Hiradó.

“Re të zeza po mblidhen mbi Evropë. Brukseli po përgatitet për luftë me Rusinë, dhe tashmë ka një datë të synuar për hyrje në luftë: viti 2030”, paralajmëroi Orbán.

Ai theksoi se, sipas traktatit themelues të BE-së, në rast të një sulmi të armatosur ndaj territorit të një shteti anëtar, shtetet e tjera janë të detyruara t’i ofrojnë të gjithë ndihmën e mundshme, që do të thotë se pranimi i Ukrainës, e shkatërruar nga lufta, në BE do të rezultonte me hyrje të menjëhershme në luftë.

Sipas Orbánit, viti i ardhshëm mund të jetë viti i fundit zgjedhor në Hungari kur me të vërtetë mund të vendoset për çështjen e luftës dhe paqes. Duke marrë shembullin e emigracionit, ai theksoi se ka vendime që më vonë nuk mund të korrigjohen. “Sikur të mos kishim ndërtuar gardhin më 2015, migrantët tashmë do të ishin këtu. Nëse marrim një vendim të gabuar në vitin 2026, do të jetë shumë vonë ta korrigjojmë deri në zgjedhjet e ardhshme në vitin 2030. Gara s’do të përfundojë mirë. Kush dëshiron paqe, le të na bashkohet”, përfundoi Orbán.

Related Articles

Back to top button
Close
Close