
Bllokohet në pikën doganore të Hanit të Hotit 51 tonë misër që vinte nga Serbia. Shkak u bë prania e lartë e aflatoksinës B1. Sipas njoftimit zyrtar të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, bëhet fjalë për dy ngarkesa me misër, ushqim për kafshë, që ishin duke hyrë drejt Shqipërisë nga Mali i Zi, por origjina e mallit ishte Serbia.
Nga analizat e kryera në pikën kufitare ka rezultuar prani e lartë e aflatoksinës B1. Kjo normë nuk është e lejueshme për standardet që aplikon vendi. Menjëherë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shkodër ka bërë fillimisht bllokimin e sasisë së misrit. Më pas njëra nga ngarkesat është kthyer në vendin e origjinës, ndërsa ngarkesa tjetër është bllokuar në ambientet e subjektit me destinacion asgjësimin.
Ky është rasti i dytë brenda pak kohësh që bllokohet misër me origjinë nga Serbia për prani tej normave të aflatoksinës. Më 8 nëntor u bllokuan po në pikën doganore të Hanit të Hotit 25 tonë misër që vinte nga Serbia dhe që kishte si destinacion Elbasanin. Edhe në këtë rast bëhej fjalë për misër që ishte i destinuar për ushqim për kafshët.
Sipas ekspertëve, normat e larta të aflatoksinës B1 shkaktojnë kancer, kryesisht të mëlçisë, por edhe të zorrëve, mushkërive dhe gjirit. Ushqimet më të kontaminuara janë drithërat, orizi, misri, soja, arrat e pemëve dhe kikirikët. BE-ja ka vendosur kufijtë maksimalë të lejuar për aflatoksinat.
Klan News



