
Në një reagim të fortë publik, Gadaf Uzairi ka mohuar zërat për largimin e tij nga Aleanca për Shqiptarët, duke theksuar se mbetet besnik ndaj idealit për shqiptarët dhe vizionit të Arben Taravarit. Ai u shpreh se nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë as në qasje, as në qëndrim, ndërsa kritikoi ashpër disa ish-bashkëpunëtorë që, sipas tij, “kanë zgjedhur rrugën e interesit”.
Uzairi deklaroi se politika për të nuk është pushtet apo përfitim personal, por mision për dinjitetin dhe të vërtetën. “Nuk më tund as premtimi, as karrigia,” theksoi ai, duke shtuar se do të qëndrojë në Aleancë “me kokën lart dhe zemër të pastër”, njofton Top24
Postimi i plotë i Gadaf Uzairit:
Të nderuar shokë, miq, dashamirë dhe mbi të gjitha familjarë.
Ju që më keni mbështetur gjatë gjithë ecjes sime politike në Aleancë, dua t’ju falënderoj nga zemra për besimin dhe përkrahjen e sinqertë që më keni dhënë.
Unë jam i njëjti që në ditën e parë. Nuk kam ndryshuar dhe nuk kam për të ndryshuar as në qasje, as në qëndrim. Sepse karakteri nuk blihet dhe as shitet. Jam rritur të jem vetvetja, i drejtë dhe i pastër.
Po, kam ndjerë zhgënjim. Jo urrejtje, as inat. Më vjen keq për disa shokë që i pata pranë dhe që sot kanë zgjedhur rrugën e interesit. Politika për ta u bë pushtet dhe përfitim personal. Por ai që e ndërton karrierën mbi interes, përfundon pa vlerë dhe pa derë ku të trokasë. Koha do ta dëshmojë këtë.
Unë nuk jam këtu për pushtet, as për të mira materiale. Mirëqenien e familjes sime e kam ndërtuar me djersën e ballit dhe me dinjitet, prandaj jam i fortë në qëndrimin tim. Nuk di të përkulem dhe as të jem zvarranik. Nuk më tund as premtimi, as karrigia.
Unë kam qenë në Aleancë që nga dita e parë dhe do të jem deri në fund. Sepse besoj në idealin për shqiptarët dhe në vizionin e Arben Taravarit. Dhe këtu, tek shtëpia jonë, gjithmonë do të ketë vend për ata që e kërkojnë rrugën e dinjitetit.
Me kokën lart. Me zemër të pastër. Me besim në të vërtetën.



