LajmeMaqedoniTopLajm

Siljanovska-Davkova në shënimin e 25-vjetorit të Rezolutës 1325 të OKB-së: Vitin e kaluar, vetëm shtatë për qind e negociatoreve në proceset paqësore ishin gra

Në proceset formale paqësore, pjesëmarrja e grave është ende simbolike, siç dëshmohet nga fakti se vitin e kaluar vetëm shtatë për qind e negociatoreve ishin negociatore, përkatësisht gra, tha sot presidentja Gordana Siljanovska Davkova në shënimin e 25-vjetorit të miratimit të Rezolutës 1325 të OKB-së – Gratë, Paqja dhe Siguria.

“Për mua, ky nuk është thjesht një numër i zakonshëm, por një fakt paralajmërues se gjysma mashkullore e njerëzimit ka një pushtet enorm, përkatësisht absolut, e gjysma femërore – margjinale ose pothuajse aspak. Më lejoni t’ju kujtoj paralajmërimin e lordit Ekton se çdo pushtet dëmton, ndërsa pushteti absolut – dëmton absolutisht. Megjithatë, ka dritë në qiell. Shembujt e ndritshëm janë të rrallë, por frymëzues: gratë në shumë shoqëri pas konfliktit kanë udhëhequr pajtimin, kanë rivendosur strukturën shoqërore, kanë lidhur të ndarët dhe të kundërshtuarit me ndihmën e mendjes, dijes, kreativitetit dhe empatisë, kryesisht me inteligjencën emocionale, ato vepruan në mënyrë shëruese dhe kurative, duke rivendosur besimin dhe njerëzimin, tha ajo.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara 25 vite më parë e miratoi Rezolutën 1325, kurse në fjalimin e saj në ngjarjen në Shkup sot, presidentja theksoi se me këtë dokument është ndryshuar perceptimi për gratë, të cilat deri atëherë ishin kryesisht dëshmitare të heshtura ose viktima të konflikteve, dhe që atëherë janë bërë aktore aktive të paqes. Me të, siç tha ajo, janë vendosur dy parime themelore: së pari, mbrojtja e grave dhe vajzave nga dhuna me bazë gjinore dhe së dyti, pjesëmarrja e tyre e barabartë me burrat në luftën për paqe dhe siguri.

Ajo vuri në dukje se është konfirmuar vazhdimisht se barazia gjinore nuk është një privilegj feminist, as egocentrizëm femëror, por një imperativ humanist.

“Për përballje dhe tejkalim të konflikteve nuk mjafton të nënshkruhet një marrëveshje paqeje, por është e nevojshme të ndryshohen marrëdhëniet shoqërore, të respektohen vlerat dhe parimet themelore, të braktisën reliket e patriarkatit dhe provincializmit dhe të ndërtohet një kulturë demokratike jetese. Do të pajtoheni me mua se gratë kanë aftësinë ta transformojnë deklarativën në realitet, përmes angazhimit të përditshëm, aktiv dhe të gjithanshëm në të gjitha dimensionet dhe sferat e jetës shoqërore”, theksoi presidentja.

Ajo theksoi se normat tradicionale të përjashtimit të grave nga procesi i vendimmarrjes nuk janë zakon, por padrejtësi, dhe se dhuna dhe siguria e grave nuk janë “çështje të grave”, por çështje kyçe shoqërore.

“Demokracia matet dhe vlerësohet edhe sipas marrëdhënies drejt grave, sepse të drejtat e grave janë të drejta të njeriut, realizimi i të cilave forcon legjitimitetin demokratik dhe besueshmërinë e çdo sistemi politik. Pabarazia e bën të pamundur drejtësinë, gërryen paqen dhe rrezikon sigurinë e së ardhmes”, tha ajo.

Presidenti theksoi gjithashtu se gratë nuk kërkojnë avantazh, por njohje dhe përdorim të aftësive të tyre të barabarta në luftën për res publica, për të mirën e përbashkët.

Presidentja kujtoi se sot, ndërsa shënojmë 25-vjetorin e Agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë dhe Rezolutës 1325, afërsisht shtatëqind milionë gra dhe vajza jetojnë brenda një rrezeje prej pesëdhjetë kilometrash nga zonat e konfliktit, numri më i lartë në tre dekadat e fundit.

“Për çfarë lloj prosperiteti po flasim atëherë, për çfarë lloj demokracie po vajtojmë? Është sekret i hapur se mbështetja strukturore dhe financiare për gratë, ndërtueset e paqes, është e pamjaftueshme. Ne duhet të riangazhohemi ndaj Agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë por jo ad hoc, jo simbolikisht, por strategjikisht dhe taktikisht. Ne duhet të hapim fronte paqeje nga të gjitha anët: në institucione, në arsim, në strukturat e sigurisë, në gjyqësor, në misionet diplomatike. Le të mos lejojmë që “paqja” të mbetet një fjalë boshe, e konsumuar që përmendet vetëm në konferenca, sepse fjalimi i militarizuar nuk e pëlqen dhe e refuzon. Le ta përfshijmë atë në jetën e përditshme, kudo dhe gjithmonë”, tha ajo. 

Related Articles

Back to top button
Close
Close