LajmeMaqedoniTopLajm

KSHZ refuzoi katër ankesa dhe pranoi një për mbrojtje të së drejtës personale të votës

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) sonte, në vazhdimin e mbledhjes së 147-të, refuzoi katër ankesa të paraqitura nga qytetarë për mbrojtje të së drejtës personale të votës, ndërsa pranoi një.

Të refuzuara si të pabazuara ishin ankesat e Arijeta Selimi nga Saraji, Besar Selimi nga Saraji, Qerimka Selimovska nga Saraji dhe Egzon Ismaili nga Saraji, pasi gjatë verifikimit është konstatuar se të gjithë këta persona figurojnë të regjistruar në listën zgjedhore.

Anëtarët e KSHZ-së njëzëri pranuan ankesën e Hazred Bizari nga Struga, i cili kishte paraqitur ankesë për mbrojtjen e të drejtës së votës dhe dokumenteve personale. Pas verifikimit është konstatuar se ai nuk figuron në listën zgjedhore, edhe pse i plotëson kushtet. Ky person do të votojë nesër në vendvotimin numër 1899 në komunën e Strugës. Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, theksoi se personat, ankesa e të cilëve është pranuar, duhet patjetër të marrin me vete vendimin përkatës në vendvotim që t’u mundësohet të votojnë.

Anëtari i KSHZ-së, Angellço Ristov, u bëri thirrje qytetarëve që duan të votojnë nesër të kontrollojnë veten në listën zgjedhore, e cila është publike në faqen zyrtare të KSHZ-së dhe në Komisionet Komunale Zgjedhore. Ai theksoi se një numër i madh i ankesave të dorëzuara për mbrojtje të së drejtës së votës janë nga qytetarë që tashmë janë të regjistruar në listën zgjedhore, dhe me veprime të tilla, siç tha ai, shërbimi para zgjedhjeve është i fokusuar në trajtimin e ankesave të personave që janë tashmë në listë.

Anëtarët e KSHZ-së miratuan gjithashtu një kërkesë për akreditim të një vëzhguesi ndërkombëtar nga organizata “Forumi i Beogradit për një botë të barabartë”.

Nga KSHZ rikujtuan se të gjithë vëzhguesit e akredituar, vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe pjesëmarrësit e tjerë në procesin zgjedhor, janë të obliguar të mbajnë kartat e identifikimit dhe gjatë kryerjes së funksioneve të tyre si vëzhgues të respektojnë në mënyrë të detyrueshme Kodin e Rregullave për Vëzhgimin e Zgjedhjeve dhe Procedurave Zgjedhore, i miratuar nga KSHZ.

Anëtarët e KSHZ-së gjithashtu votuan për vendimin e ndarjes së mjeteve të avansit për punonjësit e KSHZ-së të angazhuar për kthimin e materialit konfidencial – pajisjet për identifikimin biometrik të votuesve.

Kryetari Kondarko informoi se mbledhja e 147-të do të mbetet e hapur deri nesër, kur do të informojnë nëse kanë mbërritur ankesa të tjera për mbrojtjen e së drejtës personale të votës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close