
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sot në Tiranë i është organizuar mikëpritje të ngrohtë vëllazërore nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, shkruan Top24
Sot në Tiranë, para fillimit të protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, pata kënaqësinë të pritem në një takim të ngrohtë e vëllazëror nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj.
Bashkëbisedimi ynë u përqendrua në zhvillimet aktuale në rajon, proceset euroatlantike, si dhe në rolet e rëndësishme që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërfqinjor.
E përgëzova Presidentin Begaj për përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian, duke theksuar se është jetike që edhe Maqedonia e Veriut të ecë përkrah Shqipërisë në këtë proces.
Rruga drejt Brukselit është rrugëtim strategjik kombëtar, që forcon paqen, zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal. Të dyja vendet tona duhet të ecin krah për krah drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane.
Në takim theksuam gjithashtu rëndësinë e forcimit të stabilitetit rajonal, përshpejtimit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe heqjes së kufijve që ndajnë vëllezërit e një gjaku, të cilët në Evropën e bashkuar duhet të shndërrohen në ura që bashkojnë popujt.




