
KALLXO.com raportoi po ashtu se janë verifikuar rezultatet e 550 vendvotimeve nga zgjedhjet për kryetarë të komunave, si dhe të 330 vendvotimeve për subjektet politike nga zgjedhjet për kuvendet komunale.
Kujtojmë se gjatë ditës në disa prej qendrave komunale të numërimit si në Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot nuk ishte duke u zhvilluar procesi i numërimit të votave për kandidatët për asambletë komunale.
Siç njoftoi zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, kjo ka ndodhur për shkak të rrjetit të dobët të internetit i cili po pamundësonte transmetimin e pamjeve në televizorët/ekranet për vëzhguesit.
Elezi ka thënë se në këto ekrane duhet të shfaqen pamjet nga kamera e vendosur në tavolinën e numërimit ku prezantohen fletëvotimet, për t’u parë nga të gjithë.
Mirëpo, sipas tij, ekipet e KQZ-së janë duke punuar që ky proces të fillojë sa më shpejt edhe në këto qendra të numërimit.
Në Qendrën Komunale të Numërimit në Prizren është bojkotuar procesi i verifikimit të votave të kandidatëve për kryetar si dhe numërimi i votave të kandidatëve për Kuvendin Komunal.
Merita Shehu kryesuese e Qendrës Komunale të Numërimit ka treguar për KALLXO.com se bojkotimi ka ndodhur për shkak se ka probleme teknike.
Sipas saj deri në bojkotim ishin numëruar vetëm 4 apo 5 kuti të votave.
“Ne, komplet stafi e bojkotuam numërimin- të gjithë- me kryesues, komisionerë e vëzhgues dolëm jashtë, për shkak se shumica e kompjuterëve nuk po punojnë. Edhe ata që po punojnë nuk po bën rrjeti” – deklaroi ajo.
Në këtë Qendër Komunale të Numërimit, siç deklaron ajo, problemet janë që nga dita e votimit.
“Mua qe tri ditë më kanë sjell këtu dhe nuk kam user të hapur si kryesuese që jam” – shtoi ajo.
Për këtë, ajo njofton se është lajmëruar Komisioni Komunal i Zgjedhjeve.
Zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe për kuvendet komunale janë mbajtur më 12.10.2025.



