LajmeMaqedoniTopLajm

PP: Indikacionet fillestare nuk tregojnë motive politike pas incidentit të armatosur në Kumanovë

Dy prokurorë nga Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë po kryejnë inspektim në vendin e ngjarjes së incidentit të armatosur në qendër të Kumanovës, në të cilin një person u plagos. Sipas  PPRMV, indikacionet fillestare nuk tregojnë motive politike pas incidentit të armatosur, por prokuroria po shqyrton të gjitha rrethanat.

“Lidhur me ngjarjen në Kumanovë, dy prokurorë publikë nga Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës kanë shkuar në vendngjarje dhe po ndërmarrin veprime hetimore. Po mblidhen gjurmë dhe prova materiale që do t’i nënshtrohen ekspertizës. Në të shtënat është plagosur një person, ndërsa sulmuesi është në kërkim. Indikacionet fillestare nuk tregojnë motive politike pas incidentit të armatosur, por po shqyrtohen të gjitha rrethanat”, kumtoi Prokuroria.

Personi i lënduar është Z.Sh., mjek me profesion, i punësuar në Klinikën e Pulmologjisë. Ai është kryetar aktual i Këshillit të Komunës së Likovës dhe është bartës i listës së këshilltarëve të AKI-t, të udhëhequr nga BDI për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës, Sasho Stoshevski, më parë deklaroi se i plagosuri nga të shtënat e sotme në rrugën “Dimitrija Tucakoviq” në Kumanovë është jashtë rrezikut për jetë, kurse pas kryerjes së ekzaminimeve fillestare mjekësore, është dërguar në Shkup.

“Tek ne është sjellë personi me inicialet Z.SH me katër plagë nga arma e zjarrit në pjesën e parakrahut të majtë dhe gjurit të djathtë. Këtu janë kryer të gjitha ekzaminimet në përputhje me të gjitha protokollet për mjekim. Personi është jashtë rrezikut dhe menjëherë është transferuar në Klinikën e Traumatologjisë në Shkup”, deklaroi Stoshevski.

MPB kumtoi se incidenti ka ndodhhur sot në orën 15:54 në SPB Kumanovë në kryqëzimin e rrugës “Dimitrije Tucoviq” me rr. “11 Tetori” në Kumanovë.

“Dy persona në lëvizje kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti pasagjerësh “Volksvagen Golf,” të drejtuar nga Z.Sh. (43) nga fshati Sllupçan, Komuna e Likovës, i cili ka pësuar lëndime dhe është transportuar për mjekim në spitalin e Kumanovës”, theksohet në informacionin nga MPB-ja.

Related Articles

Back to top button
Close
Close