
Lista me 720 kontraktuesit që marrin rroga nga komuna e Çairit, е që u publikua ditë më parë në Flaka, përmban personalitete që po trondistin opininin publik. Në mesin e tyre ka edhe hoxhallarë dhe familjarë të tyre marrin paga pa shkuar në punë.
Një nga ato rastet është rasti i hoxhës Ismet Sherifi, dhe djali i hoxhës Rufat Sherifi. Edhe bashkëshortja e hoxhë Bexhet Dërnjani, është në listën e kontratave të komunës së Çairit. Burime brenda komunës së Çairit, bëjnë me dije që këto persona nuk paraqiten në punë derisa marrin rroga nga Komuna e Çairit.
Disa herë me radhë nga opozita shqiptare në Çair është denoncuar se komuna ka shpërndarë 720 kontrata për militantë partiakë, të cilat i kushtojnë qytetarëve deri në 500 mijë euro në muaj.
Redaksia Flaka ka kryer hulumtim mbi bazën e këtyre indicieve dhe ka ardhur në përfundim se informacioni është i saktë. Nga verifikimi në platformën Open Finance, rezulton se drejtuesit e Komunës së Çairit kanë lidhur me qindra kontrata, me vlera që variojnë nga 10 mijë deri në 60 mijë denarë, ndërsa ka edhe kontrata me shuma më të larta.
Shifrat më të shpeshta që paraqiten në kontratat e shpërndara nga Komuna e Çairit janë 40.000 denarë, 30.000 denarë, 86.100 denarë dhe 22.500 denarë. Lista është përbërë kryesisht nga persona fizikë, të cilëve u janë dhënë angazhime për punë të ndryshme, por herë pas here hasen edhe kontrata të lidhura me persona juridikë.
Në përbërjen etnike të përfituesve vihet re një diversitet i gjerë: ndër ta ka qytetarë të përkatësisë rome, maqedonas dhe të etnive të tjera, gjë që tregon se praktika e kontraktimeve nuk kufizohet vetëm tek një grup i caktuar. Megjithatë, modeli i përsëritur i vlerave dhe mënyra e shpërndarjes së kontratave ngre dyshime serioze mbi kriteret e përdorura dhe transparencën e procesit.
Në përputhje me Ligjin për qasje deri te informacionet me karakter publik dhe Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, Flaka publikoi listën e emrave të personave që kanë lidhur kontrata me komunën, duke hequr të dhënat personale si numrat amëz dhe adresat e banimit.



