
Përmbytjet që kanë goditur pjesë të Bullgarisë juglindore dhe bregdetin e Detit të Zi kanë marrë tre jetë njerëzish dhe kanë detyruar qindra njerëz të evakuohen nga shtëpitë e tyre, kanë bërë të ditur autoritetet bullgare.
Ministri i Punëve të Brendshme, Daniel Mitov deklaroi se mes tre viktimave janë dy punonjës shpëtimi që vdiqën ndërsa ofronin ndihmë në vendpushimin bregdetar Elenite, i cili u godit më rëndë nga stuhia.
Disa pjesë të rajonit bregdetar janë dëmtuar rëndë, ndërsa përmbytjet kanë marrë me vete automobila dhe rimorkio në det dhe kanë përmbytur shtëpi, hotele dhe kampe.
Autoritetet bullgare kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në disa qytete përgjatë bregdetit të Detit të Zi, ndërsa transporti publik është pezulluar për shkak të rrugëve të përmbytura.
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se situata në rajonin e Burgasit gradualisht po kthehet në normalitet. Në pjesën verilindore të vendit edhe sot është shpallur alarm i verdhë për stuhi të mundshme, ndërsa po monitorohen edhe rrjedhat në pellgun e lumenjve Tunxha, Jantra dhe Marica.
Autoritetet bullgare kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit u janë përgjigjur 340 thirrjeve për dëme të shkaktuara nga stuhia. Nga këto, 218 ishin për pemë të rrëzuara, 100 për përmbytje dhe 22 për dhënie ndihme dhe evakuim. Policia, xhandarmëria dhe shërbimet e zjarrfikësve evakuuan mbi 100 persona në vendbanimet e prekura, 17 prej të cilëve janë fëmijë.
Mbi 80 vendbanime janë pa energji elektrike. Gjendje fatkeqësie është shpallur në komunat e rajonit të Burgasit, Montana, Vidin, Pernik dhe Krxhhali, ndërsa gjendje e jashtëzakonshme në Nesebar, Carevë, Pernik, Krxhali.
Në rrethin e Burgasit, situata mbetet më e rëndë në Carevë, Sveti Vlas dhe vendpushimin Elenite. Pjesë të Sozopolit, fshatit Lozenec dhe dy vendbanime në komunën Karnobat janë pa energji elektrike.
Disa rrugë janë mbyllur për shkak të pemëve të rrëzuara dhe dhjetëra vendbanime janë të izoluara.
Ministria bullgare e Punëve të Brendshme njoftoi se janë vendosur forca shtesë për të ndihmuar autoritetet lokale të kapërcejnë pasojat në vendbanimet e përmbytura. Në terren janë edhe pjesëtarë të ushtrisë.



