Departamenti i Shtetit ia heq vizën presidentit të Kolumbisë, Petro

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se ia ka hequr vizën presidentit kolumbian Gustavo Petro për shkak të “veprimeve të tij nxitëse” gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Vendimi erdhi pasi Petro iu drejtua protestuesve pro-palestinezë në Nju Jork. Ai postoi dje një video në rrjet sociale në të cilën iu drejtua protestuesve në gjuhën spanjolle, duke u bërë thirrje “kombeve të botës” të kontribuojnë në krijimin e një ushtrie “më të madhe se ushtria amerikane”.
“Prandaj, nga këtu në Nju Jork, u kërkoj të gjithë ushtarëve në ushtrinë e SHBA-së të mos i drejtojnë armët e tyre nga njerëzimi. Mos iu bindni urdhrit të Trampit! Respektojeni urdhrin e njerëzimit!”
Ai, sipas mediave amerikane, që mbrëmë u nis nga Nju Jorku për në Bogota.
Ministri kolumbian i Punëve të Brendshme, Armando Benedeti mbrëmë në Iks publikoi se duhet të anulohet viza amerikane e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, jo e Petros.
“Por perandoria e mbron atë dhe sulmon të vetmin president, i cili është mjaftueshëm i aftë për t’ia thënë të vërtetën në fytyrë, theksoi Benedeti.
Marrëdhëniet midis Kolumbisë dhe administratës së Trampit janë përkeqësuar që kur Petro, lideri i parë i majtë në historinë e vendit, erdhi në pushtet.
Më herët këtë javë, Petro, në një intervistë për Bi-bi-si, sulmet ajrore të SHBA-së ndaj anijeve të dyshuara për kontrabandë droge në Karaibe i quajti një “akt tiranie” dhe shprehu dyshime se në mesin e të vdekurve ka qytetarë kolumbianë.
Uashingtoni pohon se veprimet janë pjesë e një operacioni kundër tregtisë me drogë në afërsi të bregut të Venezuelës.



