
Dhjetëra delegatë dolën nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ndërsa Benjamin Netanyahu filloi fjalimin e tij duke mbrojtur luftën e Izraelit në Gaza.
Liderët e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së u përpoqën të rikthenin rregullin në sallë, por pa sukses.
Netanyahu tha se Izraeli “duhet ta përfundojë punën” kundër Hamasit në Gaza.
Fjalimi i tij filloi vetëm disa çaste pasi Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) konfirmuan se zyra e Netanyahu-s kishte urdhëruar që fjalimi i kryeministrit të transmetohej tek palestinezët në Rripin e Gazës si pjesë e një “fushate ndikimi”.
Zyra e Netanyahu-s njoftoi se kishte urdhëruar ushtrinë të vendoste altoparlantë në kamionë vetëm në anën izraelite të kufirit me Gazën, pa rrezikuar jetën e ushtarëve, megjithëse IDF konfirmoi se kishte vendosur edhe altoparlantë në Rripin e Gazës.
Mbetet e paqartë nëse Forcat Mbrojtëse të Izraelit shkelën udhëzimet e kryeministrit duke vendosur altoparlantët në Gazën e shkatërruar nga lufta, ose nëse deklarata e zyrës së Netanyahu-s përmbante informacion të rremë, raportoi “Times of Israel”.
Ushtria njoftoi se gjithsej nëntë sisteme altoparlantësh janë instaluar për nevojat e “fushatës së ndikimit”, të drejtuar ndaj civilëve palestinezë në Gaza dhe kundër Hamasit.



