
Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova, para fjalimit të saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, mbajti një fjalim në seancën plenare kushtuar 30-vjetorit të Programit botëror për të rinjtë.
Siç njoftoi raportuesi i MIA-s, Siljanovska – Davkova theksoi se asnjë vend, asnjë rajon nuk mund të përparojë nëse i neglizhon të rinjtë.
“Kjo është arsyeja pse Kombet e Bashkuara miratuan Programin botëror për veprim për të rinjtë. Sot, ndërsa shënojmë këtë përvjetor, i pranojmë edhe sukseset edhe mangësitë. Shumë është bërë, por mbetet edhe shumë për t’u bërë.
Duke iu drejtuar të rinjve, presidentja theksoi se në rini e tërhiqnin vargjet filozofike të Pink Flojd, veçanërisht kënga “Another Brick in the Wall”, në të cilën ata hedhin poshtë arsimin e bazuar në kontrollin e mendimit dhe u thonë mësuesve t’i lënë fëmijët rehat.
“Kur u bëra profesoreshë universiteti, shpesh kisha në mendje këtë këngë subversive. Kjo është arsyeja pse nuk jam këtu sot për t’ju mbajtur leksione, por për t’u frymëzuar nga ju, të rinjtë. Gjatë historisë, bashkëmoshatarët tuaj nuk kanë pasur frikë të flasin hapur, të sfidojnë autoritetin, të hedhin poshtë dogmatizmin dhe të luftojnë për idealet, ndonjëherë me koston e jetës së tyre, tha Siljanovska-Davkova.
Sipas saj, të rinjtë, si kryengritës me një arsye dhe kërkues të së vërtetës, kanë qenë gjithmonë bartës të ndryshimeve.
“Unë vij nga një vend i vogël kontinental evropian. Njëzet vite presim të bëhemi anëtar i Bashkimit Evropian. Shumë nga bashkëmoshatarët tuaj nga Maqedonia janë lodhur duke pritur për një të ardhme evropiane dhe për këtë arsye po largohen nga vendi. Kjo vlen për shumicën e vendeve në Ballkanin Perëndimor. Për vendet e vogla si i yni, statistikat nuk janë një abstraksion”, tha Siljanovska-Davkova.
Që të ndryshohen gjërat, ajo konsideron se angazhimi i të rinjve nuk duhet të jetë thjesht simbolik, por pjesëmarrje thelbësore në proceset e vendimmarrjes.
Sipas saj, brezat e rinj kanë të drejtën për një Kartë të rinovuar dhe të përditësuar, për Kombe të Bashkuara të reformuara dhe të forta, të cilat, siç tha , do t’u mundësojnë atyre të jetojnë në paqe midis kombeve, por edhe në paqe me natyrën.
“Kjo është arsyeja pse Strategjia e Kombeve të Bashkuara për të Rinjtë, Youth2030, është me rëndësi thelbësore. Ajo siguron në të gjitha shtyllat e punës sonë – paqe dhe siguri, të drejta të njeriut dhe zhvillim të qëndrueshëm – të rinjtë të mos jenë vëzhgues, por partnerë”, tha Siljanovska-Davkova, duke shtuar se kjo nënkupton tre gjëra.
Së pari, beson se të rinjtë duhet të jenë pjesë e reformës së OKB-së në çdo nivel, që do të thotë t’u sigurohen atyre vende të përhershme në delegacionet kombëtare, të krijohen organe formale këshillimore dhe t’u jepen role vendimmarrëse në fusha kyçe si reforma e Këshillit të Sigurimit, arkitektura e ndërtimit të paqes dhe qeverisja digjitale.
Së dyti, tha se ata duhet të jenë një busull etike. “Angazhimi i të rinjve nuk duhet të jetë simbolik. Ai duhet të sjellë llogaridhënie, duke siguruar që të shmangen si premtimet boshe ashtu edhe mosveprimi cinik”, tha presidentja.
Si punë të tretë e theksoi partneritetin ndërgjeneracional. Ajo beson se reforma duhet të bashkojë brezat, se liderët më të vjetër sjellin përvojë dhe ata më të rinj vizion, dhe së bashku ata mund ta çojnë multilateralizmin nga paraliza në veprim.
Ju keni privilegjin, por edhe përgjegjësinë, të jeni një urë lidhëse midis të tashmes dhe të ardhmes. Pa fjalën tuaj të preferuar “pse?” nuk ka përparim. Pa dyshimin tuaj në autoritetet, nuk ka të vërtetë. Duke lëvizur shoqëritë, ju mund ta lëvizni botën, sepse jeni të talentuar me kuriozitet intelektual dhe pasion, pa të cilat nuk mund të ketë reforma”, theksoi Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.
Në sesionin plenar kushtuar 30-vjetorit të Programit botëror për të rinjtë u drejtua edhe kryetarja e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Analena Berbok, dhe Sekretari i përgjithshëm për të rinjtë, Felipe Polier.



