
Kandidati i Aleancës për Kombëtare për Integrim (AKI) për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi, ka ngritur alarmin për gjendjen e rëndë të sportit në qytet, duke akuzuar pushtetin aktual lokal për shantazh politik ndaj komunitetit të sportistëve. Sipas tij, mbi 900 fëmijë të Ligës së Fëmijëve në futboll janë detyruar të zhvendosin stërvitjet në Gostivar, për shkak se fusha sportive në Tetovë është “privatizuar” nga njerëz të afërt me qeverisjen aktuale.
Në një takim me përfaqësues të sportit lokal, Rexhepi e quajti këtë situatë një “turp institucional dhe abuzim të pafalshëm me të ardhmen e fëmijëve”. Ai prezantoi pikat kyçe të programit të tij për sportin, ku parashihen investime në qendra multifunksionale, terrene në çdo lagje dhe përkrahje të vërtetë për klubet dhe sportistët e rinj. “Sporti nuk është për pazare politike – sporti është për fëmijët tanë!”, theksoi Rexhepi.
Deklarata e plotë e Bajram Rexhepit:
“Sot takuam komunitetin e sportistëve të Tetovës, të cilët janë viktimë e shantazheve dhe inateve politike të klikës që po numëron ditët e fundit në krye të Tetovës. Mbi 900 fëmijë të Ligës së Fëmijëve në futboll detyrohen të shkojnë në Gostivar për t’u stërvitur, vetëm sepse fusha e futbollit tek qendra sportive në Tetovë është shndërruar në pronë private nga kjo garniturë keqbërëse.
Në programin tonë, sporti ka vend qendror. Qendra multifunksionale moderne, terrene të hapura në çdo lagje dhe mbështetje e vërtetë për klubet dhe sportistët e rinj. Sporti është për fëmijët, si parakusht për një të ardhme të shëndoshë, jo për pazare politike.”
#BashkëPërTetovën ✅



