LajmeMaqedoni

Filipçe nga Strumica: Është koha ta ngremë sërish Maqedoninë mbi themelet e ASNOM-it

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, nga tubimi i të rinjve socialdemokratë në Strumicë dërgoi një mesazh për mobilizim dhe unitet, duke theksuar se Maqedonia duhet sërish të ngrihet mbi themelet e ASNOM-it.

“Unë nuk premtoj rrugë të lehtë. Por premtoj luftë. Dhe atë luftë do ta udhëheqim me kokën lart, me krenari që jemi trashëgimtarë të idesë së ASNOM-it për një Maqedoni të lirë, të drejtë dhe solidare,” tha Filipçe.

Ai theksoi se të rinjtë dhe anëtarët e LSDM-së gjithmonë kanë qenë mburoja e demokracisë dhe se ka ardhur koha sërish për ngritje.

Filipçe akuzoi Qeverinë e VMRO-DPMNE-së për partizim, nepotizëm dhe keqpërdorime, me të cilat – sipas tij – shteti po shtyhet në errësirë, ndërsa qytetarët, sidomos të rinjtë, ndihen gjithnjë e më shumë pa të ardhme.

“Detyra jonë është e qartë – ta forcojmë partinë, ta rikthejmë shpresën dhe t’i tregojmë popullit se LSDM është forca që di ta ngrejë shtetin,” u shpreh ai.

Në këtë mision, sipas tij, rol qendror kanë të rinjtë socialdemokratë dhe anëtarësia e angazhuar:
“Energjia e tyre në terren, në çdo lagje e në çdo familje, është ajo që do ta zgjojë shpresën tek të zhgënjyerit dhe tek ata që kanë heshtur. Ky është momenti që sërish të bashkohemi, të ngrihemi dhe të ndërtojmë forcën që do ta ndalë padrejtësinë dhe do ta kthejë shtetin në duart e popullit,” përfundoi Filipçe.

Related Articles

Back to top button
Close
Close