
Një çantë shpine bazë kushton nga 1200 deri edhe 3500 denarë, në varësi nga marka dhe materiali. Ka edhe nga 600 denarë, por që shkatërrohet shpejtë. Një set për vizatim – bojëra uji, penela dhe bllok – rreth 600 denarë. Dhe kur t’i shtosh mjetet sipas lëndëve, veshjen për edukatë fizike dhe edhe pa fund “gjëra të vogla”, fatura për një fëmijë lehtësisht mund të arrijë deri në rreth 10.000 denarë
Me ardhjen e shtatorit, në ajër ndihet aroma e një fillimi të ri – zilja e kambanave të shkollës, zhurma e fëmijëve nëpër rrugë dhe listat e pafundme me mjete që prindërit duhet t’i blejnë. Për dikë kjo është rutinë e zakonshme, por për shumicën e familjeve – bëhet sfidë e vërtetë financiare e cila çdo vit bëhet gjithnjë e më e vështirë. “Gjithmonë është njësoj – lapsa, fletore, ngjyra, çanta… kur t’i mbledhësh të gjitha gjërat e vogla, shuma del enorme”, thotë Agroni, babai i tre fëmijëve nga Shkupi. Ai shton se, pavarësisht se mundohet të kursejë, në fund gjithmonë duhet të shpenzojë më shumë nga sa ka planifikuar. “Edhe fëmijët, normalisht, duan të reja dhe me ngjyra – nuk mund t’u thuash jo”, thekson Agroni.
Tregtarët thonë se interesimi është i madh – nis që nga mesi i gushtit. Çmimet, ndërkaq, dallojnë. Një çantë shpine bazë kushton nga 1200 deri edhe 3500 denarë, në varësi nga marka dhe materiali. Ka edhe nga 600 denarë, por që shkatërrohet shpejtë. Një set për vizatim – bojëra uji, penela dhe bllok – rreth 600 denarë. Dhe kur t’i shtosh mjetet sipas lëndëve, veshjen për edukatë fizike dhe edhe pa fund “gjëra të vogla”, fatura për një fëmijë lehtësisht mund të arrijë deri në rreth 10.000 denarë.
“Më e keqja është që asgjë nga kjo nuk është luks, por bazë që fëmija të mund të mësojë”, komenton një baba para një dyqani në Shkup. “Nuk mund ta dërgosh pa çantë ose pa atlete për edukatë fizike. Kjo është domosdoshmëri, e jo zgjedhje”.
Sipas sindikatave, kjo situatë vetëm e thekson dallimin mes familjeve me të ardhura të ndryshme. Për ata që jetojnë me pagë minimale, shpenzimet e shtatorit janë të barabarta me një buxhet të tërë mujor.
“Kemi prindër që duhet të marrin kredi të vogla për të blerë mjete, që është alarmante”, paralajmërojnë analistët ekonomikë. Libraritë, nga ana tjetër, pohojnë se edhe ato janë nën presion. Çmimet e importit rriten, ndërsa një pjesë e artikujve që sillen nga jashtë shiten pothuajse me fitim simbolik. “Nëse duam të ofrojmë çmim më të ulët, rrezikojmë të punojmë me marzhë minimale”, shpjegon një pronar librarie dhe materialesh shkollore në afërsi të Çarshisë. Megjithatë, shumë prindër përpiqen të gjejnë zgjidhje në mënyra të ndryshme. Disa kërkojnë çanta të përdorura përmes shpalljeve, të tjerë merren vesh me fqinjët të blejnë në sasi më të mëdha për të marrë zbritje.
“Ka njerëz që fjalë për fjalë ia dalin si të munden. Është turp që arsimi, i cili duhet të jetë falas, realisht fillon me kaq shumë shpenzime të fshehta”, thotë një prind i shqetësuar. Dhe ndërsa shkollat mbushen me të qeshura fëmijësh, në shtëpi mbetet llogaria e heshtur që e paguajnë të rriturit. Çdo shtator, e njëjta histori. Vetëm shumat bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u përballuar.(koha.mk)



