LajmeMaqedoniTopLajm

Mickoski: Për shkak të listave të qytetarëve fletëvotimi mund të jetë 7-8 metra i gjatë, nëse zgjedhjet nuk janë të suksesshme do të emërojmë administratorë qeveritarë

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se është e mundur që zgjedhjet lokale të jenë të pasuksesshme për shkak të mundësisë që listat e qytetarëve të dorëzohen vetëm me dy nënshkrime, pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) miratoi një Rregullore që rregullon procedurën për mbledhjen e nënshkrimeve në mbështetje të listave të kandidatëve të dorëzuara nga një grup votuesish. Megjithatë, nëse kjo ndodh, siç tha Mickoski, Qeveria do të emërojë administratorë qeveritarë në Komuna, transmeton Portalb.mk.

“Gjithçka është e mundur. Është e mundur që fletëvotimi të jetë 7-8 metra i gjatë, është e mundur që fleta e votimit t’i dekurajojë qytetarët të dalin në zgjedhje dhe censusi të zvogëlohet. Megjithatë, dua të paralajmëroj se sipas Kushtetutës dhe Ligjit, nëse procesi zgjedhor nuk është i suksesshëm, Qeveria është ajo që emëron administratorë qeveritarë në Komuna. Sjellja e papërgjegjshme e individëve ose partive politike rezulton në mundësi të tilla. Nëse kjo do të ndodhë do të shihet shumë shpejt, ky proces duhet të përfundojë deri më 1 shtator”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë një inspektimi të punimeve ndërtimore për ndërtimin e një kopshti në Draçevë.

Më 17 gusht, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi Rregullore sipas së cilës iniciativat qytetare mund të marrin pjesë në zgjedhje me dy nënshkrime të mbledhura. Kjo Rregullore u miratua sepse nuk ka rregullim ligjor për listat nga një grup votuesish, pasi Parlamenti nuk arriti të miratojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do të përcaktonin numrin e nënshkrimeve të kërkuara.

Paraprakisht, në maj të këtij viti, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenet 17 dhe 18 të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të miratuara më 7 mars 2024, me të cilat partitë në pushtet dhe opozita rritën së bashku pragun për nënshkrimet e kërkuara në 1 përqind të elektoratit të regjistruar në një zonë zgjedhore.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi më 9 gusht i shpalli zgjedhjet lokale. Raundi i parë i votimit për kryetarë të komunave do të mbahet më 19 tetor, kur do të votohet edhe për lista të këshilltarëve. Raund të dytë për kryetarë të komunave do të ketë më 2 nëntor.

Related Articles

Back to top button
Close
Close