
Në bazë të një vendimi të Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi, pushteti lokal i Gucisë ditë më parë zbatoi urdhërin për heqjen e monumentit të heroit kombëtar Isuf Çelaj në fshatin Vuthaj.
Ky vendim ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik shqiptar, përcjell INA.
Gzim Çelaj, nipi i Isuf Çelajt, ka reaguar me tone të forta përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke e cilësuar këtë akt si një “akt barbar” dhe “një goditje të rëndë ndaj kujtesës historike dhe dinjitetit të shqiptarëve”.
“Ky veprim përfaqëson një goditje serioze ndaj kujtesës historike, dinjitetit të komunitetit shqiptar dhe vlerave të bashkëjetesës demokratike,” shkruan Çelaj.
Ai thekson se Isuf Çelaj nuk ishte as kriminel dhe as nxitës i përçarjes etnike. Përkundrazi, ai ishte një mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, një zë i arsyes dhe drejtësisë.
“Kërkesa absurde për rrëzimin e bustit të heroit tonë Isuf Kamer Çelaj nuk ka asnjë bazë logjike, sepse heronjtë shqiptarë nuk kanë asgjë të përbashkët me historinë shtetërore të Malit të Zi sllav. Ata kanë luftuar për Shqiptarinë dhe për lirinë kombëtare shqiptare. Asnjë logjikë në botë nuk mund t’i lidhë me “miqësinë” apo “armiqësinë” me Malin e Zi, përveç rasteve kur kanë qenë të detyruar të mbrohen prej tij si pushtues”, ka reaguar edhe këngëtari dhe artisti i mirënjohur Malësor Prënkoçaj. Reagime ka pasur edhe nga partitë politike dhe përfaqësues shqiptarë në pushtetin qendror dhe lokal. Alternativa Shqiptare – Dega Guci dënon ashpër heqjen e bustit të Isuf Çelajt në Vuthaj dhe fton subjektet politike shqiptare në komunë të veprojnë me unitet e përgjegjësi.
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi ka reaguar me tone të ashpra ndaj deklaratës së Ministres së Kulturës dhe Medias, dr. Tamara Vujoviq, e cila e ka cilësuar figurën e Isuf Kamer Çelajt si “bashkëpunëtor të pushtuesit” në debatin mbi bustin e vendosur në Vuthaj.
Në reagimin zyrtar, KKSH e ka quajtur këtë qasje “të papranueshme, fyese dhe të rrezikshme për kohezionin shoqëror”, duke theksuar se Isuf Çelaj ishte një luftëtar dhe dëshmor i popullit të Plavës e Gucisë, që ra në betejë kundër forcave çetnike në fillim të vitit 1944, në moshën 35-vjeçare.
Isuf Çelaj është figurë e shquar e rezistencës shqiptare ndaj okupatorëve. Ai ra në betejë kundër forcave çetnike në fillim të vitit 1944, në moshën 35-vjeçare.
Ndërkohë, para disa ditësh u përurua përmendorja e kryekomandantit famkeq çetnik Pavle Durišić në Zaostro, afër Beranit, por nga kjo ministri nuk pati asnjë reagim – përveç ndonjë zëri të zbehtë individual! (INA)





