
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka ngritur sërish alarmin për situatën e rëndë në shërbimin Onkologjik të QSUT-së.
Në një reagim të fortë public në Facebook, ajo deklaron se aparati i brakiterapisë është përsëri jashtë funksionit, duke lënë dhjetëra pacientë me kancer pa trajtimin e nevojshëm.
Sipas Vokshit, kjo nuk është hera e parë që pacientët onkologjikë përballen me mungesën e një trajtimi jetik si brakiterapia. Ajo thotë se kjo situatë është përsëritur disa herë gjatë viteve të fundit dhe ndodh për shkak të neglizhencës së strukturave shtetërore dhe shëndetësore.
“Aparati i brakiterapisë në QSUT është sërish jashtë funksionit. Dhjetëra pacientë me kancer mbeten pa trajtim jetik. Çdo seancë e humbur = rrezik për jetën!”, shkruan Vokshi në reagimin e saj.
Deputetja thekson se ka kallëzuar prej më shumë se një viti në SPAK kryeministrin Edi Rama, ish dhe aktualët ministra të Shëndetësisë, si dhe drejtuesit e QSUT dhe Onkologjikut, për akuza të rënda si “vrasje me dashje”, “shpërdorim detyre” dhe “neglizhencë mjekësore”.
Ajo kritikon gjithashtu shpërndarjen e fondeve publike, duke e quajtur një “krim shtetëror” faktin që ndërkohë që miliona euro jepen për koncesione si check-up, sterilizimi apo laboratorët, pacientët onkologjikë nuk marrin trajtimet që u shpëtojnë jetën.
Denoncimi i Vokshit:
Skandal i përsëritur në Onkologjik!
❌ Nuk është hera e parë.
❌ Nuk është rast i izoluar.
📌 Prej një viti kam kallëzuar në SPAK Ramën, ministrat e Shëndetësisë, drejtuesit e QSUT e Onkologjikut për vrasje me dashje, shpërdorim detyre, neglizhencë mjekësore. Sot janë të njëjtët drejtuea në Qeveri, e në Onkologjik. Asgjë nuk ka ndryshuar. Asnjë nuk mban përgjegjësi për shëndetin apo jetët e humbura.
⚖️ Sot, ndërsa qindra milionë euro shkojnë për koncesione abuzive (Check-up, sterilizim, laboratorë), pacientët nuk marrin dot terapitë që u shpëtojnë jetën.
👉 Ky është krim shtetëror. Dhe SPAK, duke heshtur, është bërë bashkëfajtor.




