
Mbrëmjen e së hënës, rreth orës 22:00, një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Prishtinës. Një person u gjet i vdekur në një veturë. Kjo është vrasje e pestë brenda dy ditësh në Kosovë.
Nga Policia e Kosovës konfirmuan për gazetën online Reporteri.net se viktima u qëllua me armë zjarri. Viktima është dërguar i vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa i dyshuari për rastin, ndonëse është identifikuar, ndodhet në arrati.
“Rreth orës 22:00, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në Hajvali, ku është vrarë një person. Vdekja e viktimës mashkull është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK. Policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rastit, ndërkohë që është në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është indentifikuar”, kanë deklaruar nga Policia e Kosovës.
Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, po ashtu ka konfirmuar se viktima kishte plagë nga arma e zjarrit.
Kjo vrasje ndodhi vetëm një ditë pas një tjetër ngjarjeje të rëndë – një vrasje e trefishtë në Gjilan. Edhe tre të dyshuarit për këtë rast ndodhen ende në arrati.



