
Skuadra e Llapit do të mbetet pa njërin prej lojtarëve kryesorë të saj. Bëhet fjalë për Elvir Gashjanin, i cili duket se i ka orët e numëruara te skuadra nga Podujeva.
Trajneri Tahir Batatina, ka zbuluar se ylli 18-vjeçar, Elvir Gashjani, është shumë pranë një lëvizjeje të madhe në karrierën e tij, me tri oferta konkrete nga Turqia dhe se vendimi për të ardhmen e futbollistit është shumë afër.
Batatina ka theksuar se prioriteti i tij nuk është fitimi financiar për klubin, por zhvillimi i lojtarit dhe garancia që ai do të merr minuta të mjaftueshme në fushë.
“Gashjani do të thotë edhe mendoj që shumë shpejt do ta kemi një lëvizje jashtë Kosovës. I kemi tri oferta zyrtare, nuk duhet ta mbajmë të fshehur, nga Turqia janë ofertat, i kemi nga Superliga e Turqisë, nga Liga e Parë e Turqisë. Të gjitha bisedat që jemi duke i zhvilluar për Gashjani është fokusi më i madh për shkak se me Muhamet (Hysenin) mund të them që në atë pjesë jam i zhgënjyer sepse nuk i janë dhënë minutat dhe gjithë bisedat që jam duke i bërë me klubet në Turqi është që nuk më intereson shumë pjesa financiare se sa merr Llapi, por më intereson zhvillimi i Gashjanit në të ardhmen për arsye se dua që t’i jepen më shumë minuta dhe besoj që me premtimet që m’i kanë dhënë, këto ditë do të vendoset për Gashjanin dhe do të shkojë te skuadra që jep më shumë minuta”, zbuloi Batatina.
KosovaPress mëson se skuadra ku mund të transferohet Gashjani është Konyaspori dhe nga shitja e kartonit të tij, Llapi pritet të përfitojë rreth 400 mijë euro./kp



