
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi e nënshkroi Vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të teta lokale në përputhje me nenin 12, paragrafi 4 të Kodit Zgjedhor, duke respektuar afatin prej 70 deri në 90 ditë nga shpallja deri në mbajtjen e zgjedhjeve, njofton Top24
Me shpalljen e zgjedhjeve fillojnë të rrjedhin afatet për zbatimin e aktiviteteve zgjedhore, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe sipas kalendarit që duhet ta miratojë Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Rrethi i parë i zgjedhjeve për kryetar komune dhe anëtarë të këshillave të 80 komunave dhe Qytetit të
Shkupit do të mbahet më 19 tetor, në përputhje me nenin 16, paragrafi 1 të Kodit Zgjedhor. Rrethi i dytë i
zgjedhjeve për kryetar komune duhet të mbahet më 2 nëntor, në njësitë e vetëqeverisjes lokale ku zgjedhjet
nuk do të përfundojnë në rrethin e parë.
DEKLARATË E KRYETARIT TË KUVENDIT AFRIM GASHI ME RASTIN E SHPALLJEVE TË ZGJEDHJEVE
Të nderuar qytetarë,
Të nderuar përfaqësues të mediave dhe partive politike,
Në përputhje me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor, legjislacionin në fuqi, si dhe në ushtrim të kompetencave të
mia si Kryetar i Kuvendit, kam nderin dhe përgjegjësinë institucionale t’ju njoftoj se sot, zyrtarisht, e
nënshkrova Vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të ardhshme lokale, të cilat do të mbahen më 19 tetor 2025.
Këtë vendim e dërgova deri te organet kompetente për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve, dhe pres
angazhim maksimal për realizimin e një procesi të ndershëm dhe demokratik.
Ju informoj se gjatë fushatës zgjedhore, e cila fillon njëzet ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, Kuvendi do të
vazhdojë funksionimin e tij të rregullt administrativ, por nuk do të mbajë seanca plenare. Ky vendim synon të
shmangë keqpërdorimin e foltores parlamentare për qëllime elektorale dhe t’u japë deputetëve mundësinë të
përkushtohen plotësisht ndaj komunikimit me qytetarët.
Dua të theksoj se zgjedhjet nuk janë thjesht një proces teknik, por janë thelbi i demokracisë sonë. Ato janë një
mundësi reale për qytetarët që të zgjedhin udhëheqës që reflektojnë përgjegjësi, vizion dhe përkushtim ndaj
interesit publik. Kështu, data 19 tetor 2025 shënon një moment të rëndësishëm për forcimin e demokracisë,
përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.
Si Kryetar i Kuvendit, jam i vetëdijshëm për rëndësinë e rolit unifikues që më është besuar, si dhe
përgjegjësinë që kam për të garantuar integritetin dhe paanshmërinë e institucioneve tona. Prandaj, bëj një
thirrje të qartë dhe të sinqertë për të gjitha forcat politike, kandidatët dhe strukturat përkatëse që të tregojnë nivel të lartë të kulturës politike. Të shmangin çdo formë presioni, fjalori përçarës dhe çdo tentativë për të
instrumentalizuar institucionet dhe burimet publike për interesat partiake. Ky është një proces që duhet të
fokusohet te qytetari, te nevojat dhe sfidat e tij reale, dhe te zgjidhjet konkrete që secili kandidat duhet të
ofrojë.
Pres që ky proces të jetë një dëshmi e pjekurisë sonë demokratike, ku respektohen rregullat, mbizotëron
dinjiteti, dhe reflekton vullneti i lirë i qytetarëve, e jo rezultat i trysnive apo manipulimeve. Në këto zgjedhje
është e domosdoshme të demostrojmë vlerat dhe standardet europiane për të pasqyruar angazhimin tonë të
palëkundur për integrim.
Duke u dëshiruar sukses të gjithë kandidatëve dhe partive politike që do të marrin pjesë në këto zgjedhje, uroj
që këto zgjedhje lokale të jenë një garë ku idetë dhe vizionet për një të ardhme më të mirë do të jenë në
qendër të diskutimeve.
Me respekt,
Afrim Gashi
Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut



