
Me një investim të ri prej 50 milionë eurosh nga Telekom Serbia, Maqedonia e Veriut po bëhet gjithnjë e më shumë një qendër strategjike për zgjerimin ekonomik dhe ndikimin politik të Serbisë në rajon. Kjo u konfirmua nga vetë drejtori i përgjithshëm i Telekom Serbia, Vladimir Luçiç, në një intervistë për Newsmax Balkans, gjatë vizitës së tij në Shkup, përcjell PressOnline.al
Sipas tij, Telekom Serbia tashmë ka investuar 18 milionë euro në vend si investim i drejtpërdrejtë i huaj, dhe me fillimin e një cikli të ri investimesh, kompania synon të zërë pozitën udhëheqëse në tregun telekomunikues të Maqedonisë së Veriut – një pozicion që tashmë e ka në Malin e Zi.
„Tregu në Maqedoninë e Veriut është shumë konkurrues dhe i zhvilluar, por ne kemi një strategji serioze për rritje. Plani është të ndërtojmë rrjet optik dhe të shqyrtojmë mundësitë për blerjen e operatorëve kabllorë më të vegjël“, deklaroi Luçiç. Ai shtoi se tashmë Telekom Serbia në vend ka mbi 100.000 përdorues dhe 90 të punësuar.
Drejtori serb theksoi se me këtë qasje, Serbia po e konsolidon praninë e saj jo vetëm në ekonomi, por edhe në sfera të tjera strategjike. “Në Maqedoni kemi marrë pjesë të United Group, dhe tashmë Total TV është integruar në rrjetin tonë”, theksoi Luçiç.
Këto zhvillime ndodhin në një kohë kur Qeveria e re në Shkup – e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe VLEN – po kritikohet për lehtësimin e depërtimit të interesave serbe në institucione, ekonomi dhe media.
Kritikët theksojnë se investime të tilla, që në pamje të parë duken si ekonomike, janë pjesë e një strategjie më të gjerë të “botës serbe”, për të forcuar ndikimin e Beogradit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, Maqedonia e Veriut shihet si një hallkë e rëndësishme, veçanërisht tani kur Qeveria aktuale po zbut kufijtë ekonomikë dhe politikë ndaj Serbisë.
A është Maqedonia e Veriut duke u shndërruar në “oazë” të botës serbe? Ky investim prej 50 milionë eurosh është më shumë sesa një projekt biznesi – është një sinjal alarmi për drejtimin që po merr vendi në rrafshin gjeopolitik.(PressOnline.al)



