
Barcelona ka qenë aktive këtë verë dhe, ndonëse kanë realizuar dy afrime – Joan Garcia dhe Marcus Rashford – prioriteti kryesor mbetet largimi i lojtarëve që nuk janë më në planet e klubit. Njëri prej tyre është Inaki Peña, por largimi i tij është shtyrë për momentin.
Me ardhjen e Joan Garcia-s dhe me Marc-André ter Stegen që ka shprehur dëshirën për të qëndruar, Peña nuk ka më të ardhme në “Camp Nou”. Me kontratën e tij që skadon në vitin 2026, ideja e Barcelonës është ta shesë gjatë kësaj vere për të përfituar financiarisht – diçka e domosdoshme për shkak të problemeve ekonomike të klubit.
Megjithatë, aktualisht Barcelona nuk është në gjendje ta shesë Peña-n. Për këtë arsye, ai është përfshirë në skuadrën e Hansi Flick për turneun përgatitor në Japoni dhe Korenë e Jugut. Sipas “Mundo Deportivo”, 26-vjeçari është i vetmi portier i regjistruar në La Liga në këtë moment, pasi Ter Stegen pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Barcelona ende nuk ka arritur të regjistrojë blerjen e re Joan Garcia dhe as Wojciech Szczesny-n, pasi regjistrimi i këtij të fundit skadoi me përfundimin e kontratës më 30 qershor – edhe pse ai nënshkroi një kontratë të re pak javë më vonë. Nëse situata mbetet e tillë deri në ndeshjen e parë të sezonit ndaj Mallorcas, atëherë Peña do të detyrohet të luajë si titullar.



