
Sot bëhen shtatë vite nga ndarja nga jeta e veprimtarit të shquar Adem Demaçi, simbol i rezistencës shqiptare dhe qëndresës përballë diktaturës. Me këtë rast, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka shprehur respektin dhe mirënjohjen për figurën e tij, duke e quajtur “një jetë të tërë në shërbim të lirisë”.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Taravari kujtoi vuajtjet dhe sakrificat e Demaçit, i cili qëndroi plot 28 vite në burgjet jugosllave pa u përkulur asnjëherë përballë padrejtësive. Ai e cilësoi atë si “Mandela e Kosovës” dhe një simbol të pathyeshmërisë shqiptare.
“Liria nuk është dhuratë, ajo fitohet me mund, sakrificë dhe qëndresë”, citoi Taravari një nga thëniet më të njohura të Demaçit.
Kryetari i ASh-së theksoi se kontributi i Adem Demaçit për lirinë e Kosovës dhe kauzën shqiptare do të mbetet përjetësisht i gjallë në kujtesën kombëtare. Ai përmbylli mesazhin e tij me fjalët: “Lavdi jetës dhe veprës së Adem Demaçit!”



