Mbretëria e Bashkuar i jep dritën jeshile centralit bërthamor për 45 miliardë euro

Qeveria britanike ka dhënë miratimin përfundimtar për një central bërthamor prej 38 miliardë paund (rreth 45 miliardë euro) në Anglinë lindore.
Projekti Sizewell C në Suffolk do të financohet bashkërisht nga fondi kanadez i pensioneve La Caisse, firma britanike e energjisë Centrica dhe Amber Infrastructure, shkruajnë mediat britanike.
Qeveria do të jetë aksionari më i madh në projekt me një pjesëmarrje prej 44.9%. La Caisse do të mbajë një pjesëmarrje prej 20%, Centrica 15% dhe Amber Infrastructure do të marrë një pjesëmarrje fillestare prej 7.6%.
Sekretari i Energjisë Ed Miliband tha:
“Është koha për të bërë gjëra të mëdha dhe për të ndërtuar projekte të mëdha përsëri në këtë vend – dhe sot ne njoftojmë një investim që do të sigurojë energji të pastër dhe vendase për miliona shtëpi për brezat që do të vijnë”.
“Kjo qeveri po bën investimin e nevojshëm për të ofruar një epokë të re të artë të energjisë bërthamore, në mënyrë që të mund t’i japim fund vonesave dhe të çlirohemi nga shkatërrimet e tregjeve globale të karburanteve fosile për të ulur faturat përgjithmonë”.



