
Të nderuar qytetarë, Fondi për Sigurim Shëndetësor është një nga institucionet më të rëndësishme të sistemit shëndetësor. Ai nuk është vetëm mekanizëm financiar, por nyja ku qytetari lidhet me kujdesin, mbështetjen dhe dinjitetin shëndetësor. Barazia dhe përfaqësimi aty nuk janë luks – janë domosdoshmëri. Drejtimi i dyfishtë, për vite me radhë, ka garantuar bashkëqeverisjen, balancën dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Por para një jave, ky model u shfuqizua. Një skandal institucional u vulos me votat e deputetëve të VLEN-it. Drejtimi i përbashkët u zëvendësua me një strukturë të centralizuar – me vetëm një drejtor dhe zëvendës – duke dobësuar përfaqësimin shqiptar në vendimmarrje. Edhe më shqetësuese ishte mënyra se si ndodhi. Ky skandal u maskua pas ndryshimeve në ligjin për In Vitro fertilizim. Një temë humane e ndjeshme u përdor si mbulesë për të kaluar në heshtje një vendim që zhbën barazinë institucionale. Ky manipulim nuk është rastësi – është skandal me vetëdije. VLEN nuk reagoi. VLEN votoi. Deputetët e tyre nuk mbrojtën parimin e përfaqësimit – ata zgjodhën ta nënshkruajnë përjashtimin. Kjo nuk është dobësi politike. Është servilizëm i pastër. Jo për qytetarët, por për interesa të momentit. BDI nuk do ta heshtë këtë padrejtësi. Ne nuk lejojmë që shqiptarët të përjashtohen përmes procedurave të fshehta. Nuk pranojmë që ligjet të keqpërdoren për qëllime të mbrapshta. Shqiptarët nuk janë figurë dytësore. Ata janë themeli i këtij sistemi. Dhe kur përjashtimi votohet me vetëdije, kur skandalet shndërrohen në vendim – zëri ynë është përgjigje. Përfaqësimi nuk negociohet. Skandalet nuk normalizohen. Servilizmi nuk na përfaqëson. Faleminderit.



