
Ajo që ju thash sot në mëngjes, e paska thënë edhe Kroacia: Ministria e Jashtme e saj ka rekomanduar që qytetarët kroatë “të kenë kujdes me udhëtimet në Serbi.” Në veçanti kur dihen veprimet autoriteteve të Serbisë ndaj qytetarëve kroate.
“Duke pasur parasysh se bllokimet e rastësishme të rrugëve shpesh ndodhin për shkak të protestave civile, është e rëndësishme të mbahet mend se është e pamundur të vlerësohet paraprakisht situata e trafikut dhe rrethanat e mundshme rënduese që mund të ndikojnë ndjeshëm në rrjedhën e lëvizjes në të gjithë vendin. Ne u këshillojmë veçanërisht qytetarëve kroatë të shmangin vendet ku mblidhen një numër i madh njerëzish”, njoftoi ministria kroate.
Autoritetet kroate thonë se “vendimi për të udhëtuar jashtë vendit është përgjegjësi personale e secilit individ”, por rekomandon që për momentin të evitohen udhëtimet e panevojshme në Serbi, ku kohët e fundit ka bllokada të shumta të rrugëve dhe dhunë mes policisë dhe demonstruesve.
/Bahri Cani/



