
Prokuroria Themelore e Shkupit ka filluar hetim kundër personit Z.D për ndihmë gjatë rrëmbimit dhe vrasjes së Vanjës dhe Pançes. Ai është anëtar i partisë Desna dhe i punësuar në Bankën Popullore si personel teknik. U arrestua dje, ndërsa sot është marrë në pyetje nga policia.
“Pas instruksioneve të dhëna nga i akuzuari i parë, i dyshuari nga hapësirat e partisë politike DESNA ka marrë një çantë në të cilën ka qenë arma – pistoleta, me të cilën janë kryer dy veprat penale dhe i ka larguar nga partia. Me këtë u ka ndihmuar të akuzuarve të mos zbulohen. Me qëllim të konfirmimit të informacioneve, prokurori publik ka siguruar edhe urdhra gjyqësor me të cilët janë kryer bastisje në dy lokacione, ndërsa po ndërmerren edhe veprime tjera hetuese”, thonë nga PTHP.
Përndryshe arrestimi i Z.D. erdhi pasi gjatë seancës së djeshme gjyqësore, i akuzuari Velibor Manev tregoi se ka qenë edhe një person tjetër, që ka ndihmuar në fshehjen e pistoletës.
“Kjo është pjesa e fundit e mozaikut. Çanta është te një anëtarë i partisë DESNA, i punësuar si person teknik në Bankën Popullore. E kuptova kur Pallevski mu lajmërua nga kufiri turk dhe më tha që t’i paraqitem Zoranit, për shkak se e ka marrë nga zyra, siç tha Pallevski “pakon” që ta largojë nga ai, ta hedh apo shkatërrojë, të mos mund të gjendet. Më pas e kisha patjetër ta informojë Pallevskin se jam lajmëruar dhe e kam përcjellë porosinë”, theksoi Velibor Manev, i akuzuar.
Megjithatë për këtë person nuk do të ketë masë paraburgim, por përkohësisht i është marrë pasaporta, i është dhënë ndalesë për nxjerrjen e pasaportës së re, si dhe kohë pas kohe të paraqitet në Gjykatë. Hetimi kundër këtij personi është lëndë tjetër, thonë nga prokuroria, pasi nuk ndikon në lëndën për rrëmbimin dhe vrasjen, procedurë gjyqësore e cila është në fazën përfundimtare.



