LajmeOpinion

Mullahët e Iranit! Hije e orientit, Pasqyrë e oksidentit

Mullahët e Iranit.

Hije e orientit, Pasqyrë e oksidentit

Shkruan: Faton Aliu

Ka pak figura politike në historinë moderne që mishërojnë njëherazi mitin, frikën dhe keqkuptimin, ashtu siç e bëjnë mullahët e Iranit. Të veshur me petkun e errët të klerikut shiit, me fytyra të palëvizshme, mjekra të gjata dhe turbanë të mbështjellë në mënyrë rituale, ata dalin në skenën botërore si personifikime të një bote të papajtueshme me rendin modern perëndimor. Ata e shohin veten si trashëgimtarë të një bote të vjetër, të lidhur me profetin Muhamed (as) dhe Imamin e Dymbëdhjetë, me Qomen dhe Qerbelan, me mesianizmin shiit dhe martirizmin e imam Huseinit. Në to përplasen dy vështrime të mëdha të historisë moderne: orientalizmi dhe oksidentalizmi.

I

Në mendësinë perëndimore, mullahët kanë qenë përherë një enigmë e errët, të cilën as diplomacia, as armët dhe as globalizimi nuk arritën ta zhbëjnë. Orientalizmi, ai aparat i lashtë kulturor i perceptimit të “Tjetrit”, i ka parë ata si relikte të një feje të vjetër që këmbëngul të rrojë në zemrën e modernitetit. Me turbanët e mbështjellë mbi ballin e rrudhur dhe mjekrën që prek kraharorin, ata shfaqen si priftërinjë të një tempuj të zhdukur, si hierarkë të një mbretërie ku koha ecën ndryshe.

Në romanet perëndimore, në analizat akademike, në lajmet televizive, figura e tyre vishet me tone misterioze: janë fanatikët, arbitrat e moralit, gardianët e sheriatit, një kastë që udhëheq një popull të tërë përmes rregullave të epokës para-ndriçuese. Janë kryetarë të një republike që ngjan më shumë me një manastir, ku çdo ligj zbret nga qielli dhe çdo kundërshtim përkufizohet si mëkat. Në këtë tablo, mullahët e Iranit janë anti-teza e arsyes perëndimore, mishërimi i frikës ekzistenciale se ekziston ende një fuqi që nuk i nënshtrohet logjikës së progresit liberal. Por ky është vetëm njëri version i së vërtetës. Një gjysmë e narrativës. Një hije mbi murin e shpellës.

II

Nga ana tjetër, mullahët janë ndër mjeshtrat më të rafinuar të oksidentalizmit, të leximit të Perëndimit përmes syve të kritikës radikale. Për ta, Perëndimi nuk është qytetërim i dritës, por kult i materializmit, adhurim i epsheve, rënim moral. Ata nuk e shohin veten si të prapambetur, por si mbrojtës të shpirtit njerëzor përballë zbrazëtisë perëndimore. Aty ku Perëndimi sheh progres teknologjik, ata shohin shthurje; aty ku sheh liri, ata shohin degjenerim.

Në këtë prizëm, Revolucioni Islamik i 1979-ës nuk ishte një kthim mbrapa, por një përpjekje e madhe për të shpëtuar qenien njerëzore nga zgjerimi global i boshllëkut shpirtëror. Ruhollah Khomeini, udhëheqësi suprem i parë i republikës islamike, nuk fliste vetëm për Iranin, por për një rend të ri global ku morali, feja dhe shpirti do të vendoseshin sërish në qendër të ekzistencës. Ai lexonte dekadencën perëndimore jo si pasojë e fatit historik, por si devijim nga rruga e drejtë.

Kështu, mullahët nuk janë vetëm udhëheqës fetarë, por ideologë të një alternative civilizuese.

III

Megjithatë, pas kësaj narrative ideologjike fshihet një mjeshtëri politike e rrallë. Mullahët e Iranit kanë ndërtuar një arkitekturë shtetërore unike, ku feja dhe pushteti shkrijnë kufijtë mes tyre. Velayet-e Faqih — teoria e qeverisjes nga juristët islamë — është, në thelb, një sintezë e re e teologjisë shiite me mekanizmat e pushtetit modern.

Klerikët nuk janë vetëm teologë; ata janë administratorë, ekonomistë, strategë ushtarakë dhe diplomatë të aftë. Në hije, ata drejtojnë Gardën Revolucionare, komandën e luftës hibride që operon nga Libani në Jemen, nga Siria në Irak. Ata manovrojnë me sanksionet perëndimore duke ndërtuar rrjete të tëra financiare paralele. Ata negociojnë me amerikanët për marrëveshjen bërthamore ndërsa, në të njëjtën kohë, predikojnë nga minaret e xhamive kundër “imperializmit shejtan”.

Ky është paradoksi i tyre: një pushtet që predikon përjetësinë dhe menaxhon përkohshmërinë me mjeshtëri.

IV

Në thelb të ekzistencës së tyre rri edhe diçka më e thellë: kompleksi historik i martirizimit. Për një klerik shiit, historia nuk fillon me shtet-formimin modern, por me tragjedinë e Qerbelasë. Martirizimi i imam Huseinit është akoma themeli i ndërgjegjes kolektive. Çdo përballje me Perëndimin është një Qerbela e re, çdo marrëveshje është një kompromis me historinë e shenjtë. Kjo ndjesi sakrifice i jep klerikëve një burim legjitimiteti që politikanët perëndimorë nuk e kuptojnë dot.

Ata nuk sundojnë vetëm përmes ligjeve; ata sundojnë përmes mitit, përmes narrativës së shenjtë që i bën ndjekësit e tyre të pranojnë varfërinë, izolimin dhe dhimbjen si pjesë të një qëllimi më të lartë.

V

Në fund, mullahët e Iranit mbeten një sfidë që nuk mund të zgjidhet thjesht me diplomaci apo me forcë. Ata përfaqësojnë atë pjesë të njerëzimit që ende kërkon të jetojë jashtë kodit universal të modernitetit perëndimor. A janë ata peng i historisë apo pararojë e një alternative globale? Janë relikt i së kaluarës apo pararojë e një post-perëndimi që po lind? Këto pyetje mbeten të hapura.

Në galaktikën e qytetërimeve, mullahët e Iranit janë një kujtim i gjallë i faktit se historia nuk është lineare, se progresi nuk është një autostradë universale dhe se pluralizmi i ideve nuk është kurrë pa dhimbje.

Në fund të fundit, mullahët janë “ fëmijët e kohëve të çuditshme “, ku e vjetra nuk ka vdekur dhe e reja nuk ka lindur ende plotësisht.

 

 

 

 

 

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close