
Një copëz frymëzimi ka marrë formë në muret e Tetovës! Në oborrin e Shkollës së Mesme Tekstile është zbuluar sot murali i futbollistit të Kombëtares Shqiptare, Nedim Bajrami, një nderim për rrënjët, një mesazh për brezat e ardhshëm.
Nisma, që synon të promovojë figura pozitive dhe modele suksesi për të rinjtë, ka sjellë një atmosferë entuziazmi në qytet. Në përurimin e muralit morën pjesë përfaqësues të Komunës së Tetovës, nxënës, qytetarë dhe vetë protagonisti, Bajrami, i cili u shfaq thellësisht i prekur nga ky gjest.
I pyetur për një rikthim të mundshëm në futbollin vendas dhe në veçanti te Shkëndija, Bajrami nuk përjashtoi asgjë: “Në futboll asnjëherë nuk thuhet ‘kurrë’. Aktualisht jam i fokusuar te Rangers, por Shkëndijës i dëshiroj çdo të mirë.”
Murali i Bajramit është shumë më tepër sesa një vepër arti, është një ftesë për ëndrra të mëdha, një kujtesë se sukseset ndërtohen me pasion, punë dhe lidhje të forta me vendin që të rrit. Tetova tani ka një mur që flet… dhe flet gjuhën e ëndrrave të realizuara.



