
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili ka hyrë në fuqi sot dhe që detyron rreth 1300 biznese në Kosovë të kalojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Sipas AKB-së, ky vendim ka sjellë një rritje ekstreme të çmimit të energjisë – mbi 250% më shumë krahasuar me një vit më parë.
AKB, përmes një postimi në Facebook, e cilëson këtë vendim si të njëanshëm, jotransparent dhe të dëmshëm për sektorin privat, duke paralajmëruar pasoja të rënda për ndërmarrjet vendore, humbje të vendeve të punës dhe rritje të çmimeve për konsumatorët.
“Ky është një sulm direkt ndaj shtyllës kryesore të ekonomisë së Kosovës – sektorit privat. Vendimi është marrë pa asnjë analizë të ndikimit ekonomik dhe pa asnjë konsultim me komunitetin e biznesit”, thuhet në reagimin e AKB-së.
Përfaqësues të bizneseve dhe punëtorë tashmë kanë protestuar në disa qytete, ndërsa AKB paralajmëron përshkallëzim të kundërshtimit nëse nuk pezullohet vendimi.



