
Dy ditë pas arrestimit të kreut të Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve në Serbi, publiku u informua për një pranim fajësie që po ndërlikon planet e dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump, për investime në kryeqytetin serb.
Goran Vasiq, ushtrues detyre i drejtorit të institucionit përgjegjës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ka pranuar se në nëntor të vitit 2024 ka falsifikuar një nënshkrim në dokumentacionin me të cilin Qeveria e Serbisë hoqi statusin e mbrojtjes kulturore nga ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, në qendër të Beogradit.
Bëhet fjalë si për rrënojat e godinës që u bombardua dy herë nga Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në vitin 1999, ashtu edhe për pjesët e padëmtuara të saj.
Me këtë dokument të falsifikuar, u krijua baza ligjore për t’ia shitur objektin kompanisë së Jared Kushnerit.
Si drejtues i kompanisë private amerikane Affinity Global Development, Kushner njoftoi, pas blerjes, planet për ndërtimin e një hoteli luksoz dhe të një kompleksi banesor afarist në Beograd.
Kompania ka plane të ngjashme edhe në Shqipëri, duke e bërë kështu Ballkanin kyç në strategjinë e saj të investimeve.
Që nga ardhja në pushtet e partisë së presidentit Aleksandar Vuçiq para 13 vjetësh, pamja e Beogradit, sidomos në qendër, ka ndryshuar ndjeshëm. Rrokaqiejt e shumtë, kryesisht nga kompani të huaja, kanë ngushtuar infrastrukturën rrugore, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin urban dhe jetën e përditshme në qytet.
Siç pritej, aktivistët dhe një pjesë e opinionit profesional reaguan kundër ndryshimit të pronësisë mbi ish-ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm.
“Është ende herët për të festuar”, tha arkitekti Milan Salata, anëtar i grupit të ekspertëve për mbrojtjen e kësaj ndërtese.
“Ky është rezultat i një presioni të madh publik – nga ekspertët, institucionet që refuzuan të bashkëpunojnë, deri te studentët që nisën protesta dhe tribuna publike”, tha Salata për Radion Evropa e Lirë (REL).



