
Ushtria amerikane së shpejti mund të ketë në dispozicion një ushtri të tërë bombarduesish vetëvrasës indiferentë dhe pa ndjenja. Konkretisht, kompania amerikane e mbrojtjes AeroVironment ka prezantuar dronin me emrin “Red Dragon” (Dragoi i Kuq).
Ky është i pari në një linjë të re dronësh vetëvrasës. Është i pajisur me inteligjencë artificiale dhe mund të arrijë shpejtësi deri në 160 km/h, me një rreze veprimi prej gati 400 kilometrash. Vendoset dhe lëshohet brenda vetëm 10 minutash dhe peshon 20 kg.
Edhe pse dëmi nga ngarkesa shpërthyese do të ndryshojë në varësi të llojit të objektivit të goditur, AeroVironment thekson se “Dragoi i Kuq” mund të sulmojë çdo lloj shënjestre – nga tanke, automjete ushtarake e deri te kampet armike dhe ndërtesa të vogla. Droni mban deri në 10 kg eksploziv dhe mund të godasë objektiva në tokë, ajër apo det.
Ky dron del në skenë në një kohë kur dronët po ndryshojnë sistemet e luftës dhe po bëhen gjithnjë e më të zakonshëm në fushëbetejë, duke lëshuar bomba të komanduar nga distanca në objektiva në mbarë botën. AeroVironment ka njoftuar se kjo armë autonome është gati për prodhim masiv.
Ndryshe nga dronët e tjerë ushtarakë amerikanë, të cilët mund të mbajnë raketa, “Dragoi i Kuq” është vetë një raketë. Si shumë i lehtë, është projektuar për vendosje të shpejtë dhe fleksibilitet në fushëbetejë, duke u mundësuar njësive më të vogla ushtarake ta përdorin pothuajse kudo.



