
Pakistani i ka bërë të ditur OKB-së që nuk kërkon një përshkallëzim të marrëdhënieve të tensionuara me Indinë.
Përfaqësues i Pakistanit në OKB, Asim Iftikhar Ahmad, paralajmëroi se nëse India ndërmerr agresion ushtarak do të ushtrojë të drejtën për tu vetëmbrojtur.
“Dua të theksoj se Pakistani nuk kërkon përshkallëzim. Kjo është artikuluar qartë nga udhëheqja politike në të gjitha nivelet. Megjithatë, ne jemi plotësisht të përgatitur për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin tonë territorial. Nëse India ndërmerr veprime agresive, Pakistani do të ushtrojë të drejtën e tij të lindur dhe legjitime për vetëmbrojtje, siç përcaktohet në Kartën e OKB-së.” tha Ahmad.
Ai shtoi se India ka akuza të pabaza ndaj Pakistanit, pasi sipas tij, ato janë vetëm pretekst lufte.
“Historia e agresionit ushtarak të Indisë është e njohur mirë. Siç pritej, sapo ndodhi sulmi i fundit, India nxitoi të ngrinte akuza të pabaza dhe mashtruese ndaj Pakistanit – pa asnjë provë dhe pa filluar ndonjë hetim të besueshëm. Dhjetë ditë pas incidentit, asnjë informacion i besueshëm nuk është bërë publik në lidhje me autorët“, shtoi Ahmad. Syri.net-Protothema



