
Organizimin e mbrëmjes së maturës këtë vit nuk kanë mundësi ta bëjnë të gjitha restorantet për shkak të mos plotësimit të kushteve kundër zjarrit ose ndonjë fatkeqësie tjetër. Nga Komuna e Tetovës tashmë kanë paralajmëruat drejtuesit e shkollave që paraprakisht të kërkojnë garanci dhe përgjegjësi nga pronarët e lokaleve për sigurinë e maturantëve.
Ndërkohë, disa nga maturantët që anketuam thanë se po finalizojnë përgatitjet për këtë mbrëmje. Sipas tyre shpenzimet nuk duhet të jenë të tepruara por në bazë të buxhetit familjar.
“Do të jetë një mbrëmje e mirë, shpresoj që ta kalojmë mirë, ti japim një përmbyllje të mirë viteve shkollore. Kur bëhet fjalë për veshjen? Do ta zgjedhim ditët në vijim. Është nevoja të shpenzoni apo mendoni se duhet të dukeni sa më thjesht? Unë besoj se secili do të vendos në bazë të mundësive financiare. Ti ke veçuar ndonjë shumë sa do të shpenzosh? Do e shoh, akoma jo”, shtoi një maturant.
Pas tragjedisë në Koçan, thuajse në të gjitha objektet publike dhe private u kryen kontrolle për të parë nëse plotësojnë kushtet për mbrojtje kundër zjarrit. Kontrollet më të theksuara u bën ndaj objekteve gastronomike dhe hotelierike ku shumë prej tyre rezultuan se nuk plotësojnë disa nga kushtet për mbrojtje nga fatkeqësitë. Madje, në shumë prej tyre që nuk plotësonin kushtet vitet me radhë ishin organizuar edhe mbrëmje të semimaturës dhe maturës.



