
Shtetet e Bashkuara nuk do të veprojnë më si ndërmjetësuesi kryesor në negociatat e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë, deklaroi sot Departamenti amerikan i Shtetit, duke shënuar një ndryshim në rolin e Uashingtonit.
Më parë, zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance paralajmëroi se lufta në Ukrainë nuk duket se do të përfundojë së shpejti, duke thënë se tani i takon Kievit dhe Moskës të arrijnë një marrëveshje.
Të enjten sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se arritja e armëpushimit mes Ukrainës dhe Rusisë është ende larg.
Komentet vijnë pasi Kremlini shprehu gatishmëri për bisedime të drejtpërdrejta, por hodhi poshtë një propozim të kohëve të fundit të SHBA-së për paqe me arsyetimin se nuk i jepte njohje ndërkombëtare territorit të pushtuar nga forcat ruse.
Ukraina, nga ana e saj, ka refuzuar vazhdimisht të njohë çdo aneksim rus, duke argumentuar se Presidenti Vladimir Putin nuk duhet të ‘shpërblehet’ për pushtimin e territorit të saj sovran.
Njoftimi shënon një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e SHBA-së ndaj luftës, pas paralajmërimeve se do të tërhiqej nga roli i saj ndërmjetësues nëse nuk do të arrihej përparim. Departamenti i Shtetit tha të martën se do të tërhiqej nëse nuk shihte “propozime konkrete” nga Kievi dhe Moska se si t’i jepej fund luftës.



