
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur me nderime të larta shtetërore në Kompleksin qeveritar Perdana Putra në Putrajaya, gjatë vizitës së saj zyrtare në Malajzi.
Ceremonia solemne e pritjes u zhvillua në prani të kryeministrit malajzian, Anwar Ibrahim, i cili e mirëpriti presidenten Osmani në emër të shtetit të tij.
Në një postim në Facebook, presidentja Osmani shprehu falënderim për mikpritjen dhe respektin e treguar nga autoritetet malajziane.
“Faleminderit Kryeministër Anwar Ibrahim për mikpritjen”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Osmani pritet me ceremoni zyrtare në Malajzi, ku do të bëj hapjen e ambasadës së Kosovës
Siç është bërë e ditur nga Presidenca, në prezencë të korit diplomatik dhe të ftuarve të tjerë, Osmani do ta hapë zyrtarisht Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur, një hap i rëndësishëm në forcimin e pranisë diplomatike të Kosovës në rajonin e Azisë Juglindore.
Gjithashtu, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e Malajzisë ndaj Kosovës ndër vite, Presidentja Osmani do të dekorojë me Medalje Presidenciale të Meritave Kryeministrin aktual, Anwar Ibrahim, si dhe ish-kryeministrin Abdullah Ahmad Badaw.



