
Aktualisht po zhvillohen intensivisht aktivitete ndërtimore në vetë bregun e Liqenit të Ohrit, në lokalitetin e njohur si Goricë 3, ndërsa investitor është ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, përmes kompanisë së tij “Develop Group”.
Historia e këtij hoteli luksoz është e mbushur me kontestime, ndërsa për ndërtimin e tij u shkatërrua dhe u dogj një pyll 70-vjeçar, për zjarrin e të cilit fajtorët nuk janë gjetur asnjëherë, thonë nga partia E Majta (Levica).
Sipas informacioneve që kanë mbërritur te Levica, për këtë hotel nuk është përgatitur kurrë një Vendim mbi elaboratin për ndikim në mjedis – dokument pa të cilin nuk mund të lëshohet leje ndërtimi.
Por për hotelin luksoz të Mijallkovëve, hesht kryetari i komunës së Ohrit, Kiril Pecakov, i cili gjatë gjithë mandatit të tij ka punuar vetëm për interesat e disa biznesmenëve të fuqishëm lokalë në ndërtimtari.
Hesht Inspektorati i Mjedisit, hesht Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, ndërsa çdo ditë kryeministri Mickoski premton që do të ketë përgjegjësi për të gjithë.
Publikisht i bëjmë pyetje Kryeministrit nëse do të ketë përgjegjësi edhe për ish-bashkëpartiakun e tij, Sasho Mijallkov, i cili pasuroi veten gjatë qeverisjes së VMRO-së dhe më vonë u amnistua nën mbrojtjen e LSDM-së?!
Bëhet fjalë për një shkelje flagrante të ligjit, ku Mijallkov është bërë pronar i 15.000 metrave katrorë tokë shtetërore në njërën nga zonat më atraktive të Ohrit, ndërsa plani urbanistik skandaloz nuk është rishikuar fare në lidhje me përputhshmërinë e tij me Planin e Menaxhimit për Trashëgiminë Natyrore dhe Kulturore të Rajonit të Ohrit.
Kryetari Pecakov, duket se për të kënaqur interesat e ish-funksionarëve të VMRO-së, nuk e ka përmbushur detyrimin e tij ligjor për të ndryshuar planin urbanistik për Goricë 3, duke lejuar kështu vazhdimin e paligjshmërisë që po degradon bregun e Ohrit.
Në vend të frazave boshe të pushtetit se “edhe vëllai do të përgjigjet”, Levica bën apel që të fillojnë pikërisht nga ish-funksionari i tyre i lartë, i cili dukshëm është amnistuar nga interesat e përbashkëta të VMRO-së dhe LSDM-së, thuhet në njoftimin e Levicës.



