
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka zbuluar detaje të reja lidhur me operacionin e zhvilluar sot në orët e hershme të mëngjesit në Kaçanik, në kuadër të hetimeve për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika.
Sipas Hoxhës, operacioni është realizuar me autorizim të Prokurorisë dhe ka përfshirë bastisjen e nëntë lokacioneve, shumica në qytetin e Kaçanikut dhe një tjetër në një fshat të komunës së Klinës.
“Gjatë këtij operacioni janë bastisur 9 lokacione. Shumica në Kaçanik dhe një në një fshat të Klinës. Gjatë operacionit janë arrestuar shtatë persona, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika”, deklaroi Hoxha para mediave.
Ai theksoi se operacioni është kryer pa asnjë incident dhe pa persona të lënduar, as nga të arrestuarit dhe as nga forcat policore që morën pjesë në aksion.
“Gjatë operacionit nuk ka pasur ndonjë incident dhe asnjë të lënduar as nga të arrestuarit, as nga forcat policore”, theksoi ai.



