
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor mund të dalë “shumë shpejt” jashtë kontrollit nëse autokratët që kërkojnë destabilizim vazhdojnë të veprojnë pa asnjë masë kufizuese nga aleatët perëndimorë
Ajo ka paralajmëruar në një intervistë për Politico se rajoni mund të bëhet “tokë pjellore” për përhapjen e konfliktit të Ukrainës, sidomos nëse presidenti rus, Vladimir Putin, del më i fortë nga negociatat e paqes nën kujdesin e Shteteve të Bashkuara.
“Nëse autokratët që kërkojnë destabilizim janë në gjendje të bëjnë çfarë të duan… gjërat mund të përshkallëzohen shumë shpejt në këtë rajon. Pra, parandalimi dhe përmbajtja janë thelbësore, dhe nuk duhet të lejojmë Putinin të bëjë çfarë dëshiron”.
Presidentja Osmani ka theksuar gjithashtu se Serbia vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me Rusinë, duke rrezikuar stabilitetin e rajonit. Ajo ka kritikuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, duke thënë se ai ka qenë në ritmin e Putinit për një kohë shumë të gjatë dhe, sipas saj, tani është koha që ai të vendosë se ku dëshiron ta çojë vendin e tij.
Gjithashtu, në artikullin e gjigantit mediatik rreth zhvillimeve të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor është përmendur edhe sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, për të cilin është thënë se zyrtarët britanikë kanë pranuar se ekzistojnë prova për përfshirjen e Serbisë.
Ndryshe, për shumë vëzhgues të huaj e vendorë, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë të lidhur ngushtë me interesat ruse të provokojnë konflikte në rajon, rreziku i përshkallëzimit të situatës qëndron i varur mbi Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet etnike.



