
Policia e Republikës së Kosovës ka arrestuar 16 persona, të gjithë shtetas të Serbisë. Katër prej tyre janë ndaluar në Gjakovë dhe 12 të tjerët në Prizren. Nga të arrestuarit katër janë oficerë të shërbimeve serbe të sigurisë dhe informacionit, të dhëna këto që i bëri të ditura vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një postimi në facebook.
E lidhur më këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi.
“Materialet që janë gjetur në katër automjetet, me të cilat udhëtonin të 16 personat e etnitetit serb na bëjnë me dije se këta persona janë të lidhur me aktin terrorist të Banjskës dhe të tjera vepra të Serbisë për destabilizimin e Kosovës. Kjo e bën akoma më të mprehtë situatën. Ndërkohë ka në këtë grup ish-oficerë serbë që kanë marrë pjesë në forcat militare të Serbisë për masakrimin e shqiptarëve gjatë luftës së fundit 1998-1999. Dy janë lidhjet e këtij grupi prej 16 personash: – Së pari janë lidhjet me strukturat e inteligjencies ushtarake të Serbisë dhe së dyti, kanë lidhje me grupin terrorist të Banjskës. Së paku një prej të arrestuarve është i afërt i të dyshuar për vrasjen e rreshterit të policisë së Kosovës, Afrim Bonjaku më 24 shtator të vitit 2023. Ky person mban gradën e togerit në shërbimet sekrete të ushtrisë së Serbisë. Ndërsa një kapiten i klasit të parë është në lidhje me ish-gjeneralin e inteligjencies ushtarake të Serbisë, Jovan Milanoviç”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.
“Janë arrestuar një numër i madh personash me potencial për të shkaktuar dhe kryer akte terroriste të mëdha në Kosovë. Kësaj radhe ndoshta cak i këtyre akteve janë qytete në jug të Kosovës, si Prizreni. Por edhe Gjakova. E në këtë rast këto akte mund të kenë si motiv “hakmarrjen”, për faktin se në këto qytete thuajse nuk ka më qytetarë të etnisë serbe. Në këto raste ka shumë mundësi që aktet e terrorit t’i kryejnë serbët dhe më pas të flitet në opinionin publik, sidomos atë ndërkombëtar, për “luftë midis shqiptarëve”! Në rastin konkret kjo do të shërbente edhe për ta vështirësuar krijimin e qeverisë dhe të institucioneve të tjera të Kosovës”, nënvizon Bytyçi.
Ai thotë se Serbia me çdo kusht po te tenton ta destabilizojë situatën në Kosovë.
“Kryeministri Kurti foli për një komplot të Beogradit dhe diversion për të penguar krijimin e institucioneve të vendit. Ashtu siç edhe ishte angazhuar qeveria e presidenti i Serbisë për të ndërhyrë në zgjedhjet e Kosovës. Tashmë nuk është sekret, se në Beograd ka interes të madh për ta destabilizuar Kosovën përmes “paaftësisë” së klasës politike të saj për të krijuar institucione shtetërore të qëndrueshme dhe të afta për të përballuar politikisht e diplomatikisht Serbinë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Lufta e Serbisë historikisht ka qenë dhe mbetet edhe sot luftë për imazh. Ndërtimi i një imazhi negativ e të rremë për Kosovën e shqiptarët është strategji e të gjitha qeverive të Serbisë, së paku prej fillimit të shekullit XX me Vlladan Gjorgjeviç kryeministër. Përmes kësaj taktike e njëkohësisht strategjie, Serbia ia pati arrit që t’i paraqesë shqiptarët si “problemi i Ballkanit” dhe të maskojnë aktet e terrorit serb kundër tyre. Por në më shumë se tri dekadat e fundit ata dështuan. Dështuan kryesisht për shkak të qasjes së liderit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Pas vdekjes së Ibrahim Rugovës u ringjallën sërishmi përpjekje të tilla”, nënvizon Bytyçi.
“Edhe prania e 16 eksponentëve të shërbimeve sekrete serbe në Kosovë, në katër automjete e gati në ilegalitet bën pjesë në strategjinë akteve të dhunës, për t’ia faturuar më pas shqiptarëve e për t’i paraqit ata si “kokëfortë”, “njerëz që urrejnë serbët”, “të pabindur” dhe destruktivë. Ndërkaq me metoda të tilla promovojnë viktimizimin serb kaq të sprovuar për suksesin e tyre në qasjen ndaj opinionit publik. Ndërkohë bën përshtypje fakti se 12 prej të arrestuarve në Prizren kanë qenë të strehuar në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Ministri Sveçla ka hedh dyshime se ndoshta kemi të bëjmë me një “tentativë për të shfrytëzuar institucione fetare për kamuflim ose për të shkaktuar tensione ndëretnike/fetare në Kosovë, duke përdorur ngjarje të sajuara për të nxitur reagime të dhunshme ose trazira””, shpjegon Bytyçi.
Më tej, Bytyçi deklaron se Prokuroria e Kosovës do të duhet të merret profesionalisht edhe më shumë këmbëngulje me këtë rast.
Nëse janë dhënë 48 orë afat ndalimi, kjo kohë duhet shfrytëzuar gjaë gjithë këtyre orëve për ta ndriçuar rastin dhe veprën përkatëse të të arrestuarve. Po ashtu lidhjet, motivet dhe qëllimet e tyre. Madje edhe planet e projektet konkrete që ata mund të kenë për akte terrori dhe destabilizimi në Kosovë. Arrestimi është një vepër e lavdërueshme policisë së Kosovës. Ndërsa zbulimi i veprimtarisë dhe lidhjeve të grupit është detyrë akoma më e rëndësishme e prokurorisë”, shpjegon Bytyçi.
“Zbulimi dhe arrestimi i personave në fjalë në kushtet e mungesës së një qeverie të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit është vërtet tregues i profesionalizmit të policisë së shtetit të Kosovës dhe strukturave të tjera investiguese e ligjzbatuese. Por ama kjo ngjarje është piskamë e madhe për t’u bashkuar e për t’i krijuar me urgjencë institucionet e vendit. Një qeveri dhe parlament funksional e plotësisht legjitim motivon çdo strukturë për punë dhe angazhim maksimal në ruajtjen e integritetit shtetëror dhe territorial të vendit”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.



