
Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania mes vendeve të përfshira në diskutime joformale mbi një transferim të menaxhuar
Fuqitë më të mëdha ushtarake të Evropës po hartojnë plane për të marrë përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen e kontinentit. Kjo, duke përfshirë një hapje drejt administratës Trump për një transferim të menaxhuar gjatë pesë deri në 10 vitet e ardhshme. Lajmi u bë i ditur nga gazeta londineze “Financial Times”. Diskutimet janë një përpjekje për të shmangur kaosin e një tërheqjeje të njëanshme të SHBA-ve nga NATO. Frika është shkaktuar nga kërcënimet e përsëritura të presidentit Donald Trump për të dobësuar ose u larguar nga aleanca transatlantike që ka mbrojtur Evropën për gati tetë dekada. Sipas FT-së, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Nordikët janë ndër vendet e përfshira në diskutimet joformale por të strukturuara, duke cituar katër zyrtarë evropianë të përfshirë.
Qëllimi i tyre është të dalin me një plan për të zhvendosur barrën financiare dhe ushtarake në kryeqytetet evropiane dhe ta paraqesin atë në SHBA përpara samitit vjetor të liderëve të NATO-s në Hagë në qershor.
Propozimi do të përfshijë angazhime të forta për rritjen e shpenzimeve evropiane të mbrojtjes dhe ndërtimin e kapaciteteve ushtarake, në një përpjekje për të bindur Trump-in që të pajtohet me një dorëzim gradual që do t’i lejonte SHBA-ve të përqendrohej më shumë në Azi. SHBA-të, të cilat shpenzojnë më shumë për mbrojtjen se të gjithë aleatët e tjerë të NATO-s së bashku, janë të domosdoshme për sigurinë evropiane. Përveç parandalimit të saj bërthamor, Washington-i siguron aftësi ushtarake që aleatët kontinentalë nuk i posedojnë, drejton bazat ajrore, detare dhe trupore dhe ka 80 mijë trupa të stacionuara në Evropë.
Do të duheshin rreth pesë deri në 10 vjet nga këto shpenzime të rritura për të ngritur aftësitë evropiane në një nivel ku ato mund të zëvendësonin shumicën e kompetencave të SHBA-ve, thanë zyrtarët për FT-në, duke mos përfshirë parandalimin bërthamor të SHBA-ve.



