
Qendra Evropiane për parandalim dhe kontroll të sëmundjeve (ECDC), agjenci kjo e specializuar që vepron në kuadër të Bashkimit Evropian, vlerëson se nga afër është duke e ndjekur situatën pas rastit tragjik në klubin e natës “Puls” në Koçan. Shumë pacientë me lëndime nga djegiet janë transferuar në spitale në të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe vendet fqinje për trajtim urgjent mjekësor.
ECDC thekson rrezikun e infeksioneve te pacientët me djegie nga zjarri në Maqedoninë e Veriut të shkaktuara nga bakteret, rezistente ndaj karbapenemeve që i takojnë grupit të antibiotikëve.
“Plagët e djegura shpesh kolonizohen nga bakteret gram-negativ, siç janë Pseudomonas aeruginosa, Acinetobacter spp. dhe Enterobacterales, përfshirë edhe Klebsiella pneumoniae; të cilat shpesh janë rezistues ndaj antibiotikëve të shumtë, duke përfshirë karbapenemët dhe që mund të përhapen në institucionet e kujdesit shëndetësor. Bakteret rezistente ndaj karbapenemit (CR) përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë e pacientit, sepse infeksionet e shkaktuara prej tyre mund të jenë shumë të vështira për t’u trajtuar”, thekson Qendra në ueb faqen e saj të internetit.
Të dhënat nga Maqedonia e Veriut në vitin 2023 tregojnë një incidencë të lartë të baktereve CR, thekson tutje ECDC. Transferimi i pacientëve përtej kufijve, megjithëse i nevojshëm, mund të çojë gjithashtu në përhapjen e bakterit CR. Në një zjarr të ngjashëm në një klub nate në Bukuresht të Rumanisë në vitin 2015, trupat e djegur zhvilluan infeksione të rënda bakteriale me CR që thekson mu këtë rrezik”, vlerëson Qendra.
ECDC rekomandon që spitalet që pranojnë pacientë nga Maqedonia e Veriut të zbatojnë masa kujdesi për të parandaluar përhapjen e mundshme të bakterit CR. Këto përfshijnë izolimin e pacientëve në dhoma menjëherë pas pranimit ose grupimin e pacientëve të tillë, skriningun për baktere rezistente ndaj shumë barnave, duke përfshirë edhe bakterin CR, sigurimin e higjienës së rreptë të duarve dhe pastrimin e mjedisit dhe përdorimin e matur të antibiotikëve.
Në publikimin në ueb faqen, Qendra shton se rritja e baktereve rezistente ndaj shumë ilaçeve, duke përfshirë edhe bakterin CR, është një kërcënim në rritje për shëndetin publik në Evropë dhe ECDC angazhohet në mënyrë aktive për ta trajtuar atë.



