
Ish sekretari shtetërorë në Ministrinë e Kulturës, njëherit udhëheqës i departamentit për kulturë në BDI, Valmi Aziri përmes një postimi në profilin etj ka reaguar se për herë të parë nuk ka asnjë manifestim për nderë të 7 Marsit nga ana e Qendrës për Kulturë në Tetovë, shkruan Top24
Qendra për Kulturë në Tetovë nuk ka organizuar asnjë aktivitet për 7 dhe 8 Marsin, dy data që simbolizojnë arsimin dhe gruan. Kjo është dëshmi e qartë e dështimit të saj për të përmbushur misionin kulturor dhe shoqëror. Ky institucion është i paaftë të mbajë gjallë trashëgiminë dhe vlerat e qytetit, duke injoruar ngjarjet që duhet të ishin në qendër të vëmendjes.
Drejtuesit e emëruar politikisht nuk kanë as vizion, as përkushtim. Ata nuk organizojnë manifestime të rëndësishme, nuk mbështesin artistët dhe nuk krijojnë hapësira për zhvillimin e kulturës. Ky institucion është shndërruar në një strukturë të pashpirt, ku vetëm emri ka mbetur, ndërsa përmbajtja është zhdukur.
Mjaft me këtë neglizhencë! Nëse një qendër kulture nuk arrin të përkujtojë as datat që lidhen me arsimimin dhe gruan, çfarë tjetër mund të presim prej saj? Është koha që drejtuesit e paaftë të mbajnë përgjegjësi për shkatërrimin e kulturës në Tetovë. Kjo qendër ka nevojë për njerëz të aftë, të cilët jo vetëm e kuptojnë rëndësinë e kulturës, por edhe e mbrojnë atë me vepra, jo me heshtje.
Kërkojmë t’i plotësohet dëshira drejtorit aktual që të shkarkohet dhe të vendoset një njeri që ka përvojën dhe diturinë e duhur për të udhëhequr institucionet.
Sekretariati për Kulturë- BDI



