
Sipas regjistrimit të parë në Irak të realizuar pothuajse pas 40-të vitesh, vendi ka 46,1 milionë banorë.
Autoritetet irakiane e quajtën numërimin e popullsisë një moment historik dhe thanë se do të siguronte të dhëna bazë për planifikimin e ardhshëm dhe shpërndarjen e burimeve.
Ata deklaruan se regjistrimi ofron një pasqyrë të detajuar në kushtet ekonomike, arsimore dhe të banimit, kryesisht për Irakun federal si tërësi dhe veçanërisht për rajonin gjysmë autonom kurd në veri të vendit.
Duke folur në konferencën për media ku u publikuan rezultatet, ministri irakian për Planifikim Hapësinor Mohamed Tamim tha se regjistrimi “e tregon vendosmërinë e qeverisë”, t’i përmirësojë kushtet në vend. Ai tha se të dhënat do të ndihmojnë në një shpërndarje më të barabartë të burimeve në provinca.
“Për herë të parë pas katër dekadash, Iraku me sukses zbatoi regjistrimin e plotë, duke ndihmuar të sigurohet shpërndarje më e drejtë e burimeve”, tha Tamim.
Sipas rezultateve të regjistrimit, rreth 70 për qind e popullsisë jeton në zonat urbane në Irakun federal, ndërsa 84 për qind e kurdëve në Irak jetojnë në zona urbane.
Rreth 93 për qind e fëmijëve në zonat kurde janë regjistruar në shkolla fillore, krahasuar me 88 për qind në Irakun federal.



