
Kandidati për deputet nga NISMA Socialdemokrate në koalicionin me AAK-në, Vesel Krasniqi, ka reaguar ndaj kritikave të shumta që iu bënë Fatmir Limajt, pas deklaratës së tij se nuk ka vija të kuqe për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme, qoftë edhe me LVV-në.
Krasniqi ka thënë se “Fatmir Limaj është një politikan i kalibrit ndërkombëtar, dhe për këtë arsye mendimi i tij shpesh mund të duket i vështirë për t’u kuptuar nga disa”.
“Ne nuk po vrapojmë për të marrë rendin për qeverisje, jo, rrini të qetë, sepse të tjerët e kanë zënë moti, duke ngrënë dreka e darka me Albin Kurtin”.
Krasniqi ka thënë se “ne punojmë për interesa të qytetarëve dhe për të mirën e Kosovës, e jo për agjenda ditore dhe personale”.
Ndryshe, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, të enjten ka bërë thirrje për bashkëpunim mes partive politike për të shmangur një krizë qeveritare pas zgjedhjeve.
Ai ka thënë se kush i bën ftesë për t’u ulur në tavolinë, ai do t’i përgjigjej “për të mirën e vendit”.



