
Në muajin janar, Maqedonia raportoi 543 raste të lisë së dhenve, një rënie prej 47% krahasuar me dhjetorin, 841 raste të sëmundjeve akute infektive, 20 raste të Covid-19, dhe dy vdekje të lidhura me gripin. Gjithashtu, janë regjistruar 8734 raste të influencës që nga fillimi i sezonit 2024/25.
Në janar, sëmundja akute infektive më e zakonshme ka qenë lija e dhenve, me gjithsej 543 raste të raportuara. Krahasuar me muajin dhjetor, numri i rasteve të lijës së dhenve ka pësuar një rënie prej 47% dhe krahasuar me janarin 2024 ka rënë me 39.9%, sipas të dhënave të raportuara nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) për lëvizjen e sëmundjeve akute infektive në vend. Gjatë muajit janar, janë raportuar gjithsej 841 raste të sëmundjeve akute infektive, përjashtuar Covid-19, gripin, tuberkulozin, AIDS, AFP, dhe bartësit kronikë të hepatitit B dhe C dhe HIV, me një incidencë totale prej 45.8 për 100.000 banorë. Krahasuar me muajin dhjetor, ka pasur një rënie prej 48,1% të numrit të përgjithshëm të rasteve të infeksioneve.
Në grupin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe të transmetueshme me gjak, përveç HIV/AIDS, janë regjistruar gjithsej gjashtë persona të infektuar. Sipas raportit, janë raportuar katër raste me hepatit B viral dhe dy raste të infektimit me klamidia. Në janar u raportuan tre raste të konfirmuara me HIV, të grupmoshës 20 deri në 39 vjeç.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë raportuar gjithsej 20 raste me Covid-19 gjatë muajit janar. Krahasuar me muajin e kaluar, dhjetor, ka pasur një rritje 3.3 herë të numrit të rasteve të raportuara me Covid-19. Krahasuar me janarin 2024, është shënuar një rënie prej 89.3 për qind. Nga rastet në janar 2025, numri më i madh është raportuar nga Shkupi, ndërsa incidenca më e lartë është regjistruar në Kratovë. Gjatë muajit u regjistrua një vdekje e lidhur me Covid-19. Nga pacientët me Covid-19, nëntë janë të grupmoshës mbi 60 vjeç, katër persona nga 40 në 49 vjeç, tre nga 50 në 59 vjeç dhe dy persona nga 20 në 29 dhe nga 30 në 39 vjeç, thuhet në raportin e Institutit.
Gjatë muajit janar, janë raportuar dy vdekje të lidhura me gripin. Viktimat ishin persona të moshës 59-77 vjeçare nga Shkupi dhe Sveti Nikolla, të cilët ishin shtruar në KIBFS dhe KB Shtip. Të dy të vdekurit kishin sëmundje shoqëruese dhe nuk ishin vaksinuar kundër gripit sezonal. Nga fillimi i sezonit 2024/25, deri në fund të javës së pestë të vitit 2025, në vend janë raportuar gjithsej 8734 raste të influencës dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin.



