
Nga Kosova e matanë kufirit, me qindra qytetarë po bëjnë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Nën tingujt patriotik, me ngjyrat e flamurit kombëtar e të Kosovës, në këtë vend legjendar sot po shënohet 17-vjetori i pavarësisë së Kosovës.
Haki Gërguri nga Fieri i Shqipërisë thotë se gjaku i familjes Jashari nuk duhet të keqpërdoret nga pushtetarët.
E Dife Vladi nga Vlora, rreth të 70-tave, për herë të parë viziton Prekazin legjendar.
“Shumë e lumtur, shumë mirë. Ne jemi vëllezër…në këtë vend vijmë për herë të parë”, shprehet ajo.
Në datat historike për shtetin e Kosovës, Nazif Visoqi vjen nga Istogu në Prekaz, për të nderuar sakrificën e familjes heroike.
“Ky vend për neve është vend i shenjtë për gjithë kombin shqiptar…. e kujtoj [pavarësinë] me kënaqësinë më të madhe që e kemi fituar lirinë falë gjakut të dëshmorëve, së pari familjes Jashari, gjithë të tjerëve dhe dëshmorëve të kombit”, thotë ai.
Megjithatë, ai konsideron se nuk është arritur amaneti i dëshmorëve të rënë.
“Ende ky popull, ky komb ende ka përçarje. Është dashur që sa më fort të afrohemi dhe të duhemi sa më shume mes vete dhe ta luftojmë të keqen”, shton ai.
Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz kanë bërë edhe krerët e shtetit dhe liderë të partive politike në vend.



